Brukseli zyrtar ka shprehur gatishmërinë ta ndihmojë komunikimin ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, për çështje që lidhen me zbardhjen e sulmit terrorist në kanalin e Ibër-Lepencit. Zyrtarë të BE-së, kërkuan nga të gjitha palët, përfshirë edhe Serbinë, që për këtë rast të bashkëpunojnë me autoritetet e Kosovës.
Bashkimi Evropian ka kërkuar nga të gjitha palët, përfshirë Serbinë, që t’i ofrojnë bashkëpunim Kosovës, me qëllim të zbardhjes së sulmit me eksplozivë në Ibër Lepenc. Meqë dy vendet nuk kanë bashkëpunim formal, zyrtarë të BE-së kanë shprehur gatishmëri që ta lehtësojnë komunikimin, mbi bazën e një marrëveshjeje të para një dekade.
“BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve të interesuara që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe ne do të vazhdojmë t’i ndjekim nga afër zhvillimet. Në këtë aspekt, vërejmë se Serbia ka shprehur mbështetje lidhur me zhvillimin e hetimeve. Ne u bëjmë thirrje të dyja palëve që ta shfrytëzojnë Marrëveshjen e vitit 2013 për ndihmën e ndërsjellë juridike, përmes së cilës, Zyra e Përfaqësuesit të Lartë të BE-së (PSBE) në Kosovë lehtëson transmetimin e kërkesave për ndihmë juridike të ndërsjellë ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”, ka thënë Anitta Hipper, zëdhënëse në Bashkimin Evropian.
Në EULEX shprehën gatishmëri ta lehtësojnë komunikimin që bie në domenin e ministrive përkatëse të brendshme.
“Sa i përket çështjes së bashkëpunimit ndërkombëtar, sipas mandatit aktual të EULEX-it, Misioni mbështet Policinë e Kosovës vetëm në fushën e bashkëpunimit policor ndërkombëtar, duke lehtësuar shkëmbimin e informacioneve ndërmjet Policisë së Kosovës dhe INTERPOL-it, EUROPOL-it apo Ministrisë së Brendshme të Serbisë. Për më tepër, çdo shkëmbim i mundshëm i informacionit policor, i lehtësuar përmes EULEX-it, mbulohet nga parimi i konfidencialitetit”, thuhet në përgjigjen e EULEX-it.
Zyrtarë të Qeverisë së Kosovës që akuzuan Serbinë se qëndron prapa organizimit të sulmit, nuk janë përgjigjur nëse do ta konsiderojnë shkëmbimin e informacioneve me palën serbe për arrestimin e të dyshuarve.
E presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, që po ashtu ngriti dyshime se sulmi mund të jetë organizuar nga Qeveria e Kosovës, tha se Beogradi është i gatshëm për bashkëpunim.
Zyrtarë të BE-së bënë thirrje që palët të përmbahen nga deklaratat përshkallëzuese.
“Në këtë mjedis jashtëzakonisht të paqëndrueshëm, ne i bëjmë thirrje Serbisë dhe Kosovës që t’i shmangin deklaratat përshkallëzuese dhe të përmbahen nga çdo hap që do ta përkeqësonte situatën në terren. Bashkimi Evropian dënon me termat më të ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin ujor të Ibër-Lepencit në Zubin-Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës”, ka thënë Hipper.
Bashkimi Evropian ka të regjistruar një historik refuzimesh mes Kosovës dhe Serbisë në ofrimin e informacioneve të ndërsjella. Të fundit janë ato për zbardhjen e sulmit terrorist të 24 shtatorit në Banjskë të Zveçanit.