Bashkimi Evropian i ka bërë thirrje Kosovës që të miratojë Ligjin për liritë fetare, duke u shprehur se kjo çështje është në interes të të gjithë qytetarëve.
Para mediave të martën, zëdhënësja e BE-së, Anitta Hipper, ka thënë se deputetët e Kuvendit të Kosovës duhet ta mbështesin miratimin e këtij ligji.
“Për projektligjin ne bëjmë thirrje që të miratohet Ligji për liritë fetare. Ky ligj është në interes të të gjitha komuniteteve dhe ftojmë deputetët e Kuvendit të mbështesin miratimin e këtij ligji”, është shprehur ajo, kur u pyet për statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë.
Në 2023-n në Ohër, Kosova e Serbia ishin dakorduar për zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe.
Në nenin 7 të marrëveshjes përmendet zyrtarizimi dhe ofrimi "i një niveli të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare e kulturore serbe".
“Të dyja palët angazhohen të krijojnë marrëveshje dhe garanci specifike, në përputhje me instrumentet përkatëse të Këshillit të Evropës dhe duke u mbështetur në përvojat ekzistuese evropiane, për të siguruar një nivel të duhur të vetë-menaxhimit për komunitetin serb në Kosovë dhe aftësinë për ofrimin e shërbimeve në fusha specifike, duke përfshirë mundësinë e mbështetjes financiare nga Serbia dhe një kanal të drejtpërdrejtë komunikimi për komunitetin serb me Qeverinë e Kosovës. Palët do ta zyrtarizojnë statusin e Kishës Ortodokse Serbe në Kosovë dhe do të ofrojnë nivel të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare dhe kulturore serbe, në përputhje me modelet ekzistuese evropiane”, thuhet në nenin 7 të marrëveshjes.
Ndërsa për këtë çështje kryeministri Albin Kurti ishte shprehur se do të rregullohet nëpërmjet Ligjit për liritë fetare.
Qeveria i përgjigjet BE-së: Lista Serbe po bllokon miratimin e Ligjit për liritë fetare
Zëvendësministri i Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Kreshnik Ahmeti, ka thënë se 10 ulëset e garantuara për komunitetin serb po bllokojnë Kuvendin që ta kalojë Ligjin për liritë fetare përmes së cilit definohet statusi i Kishës Serbe në Kosovë.
Bashkimit Evropian të martën i bëri thirrje Kosovës ta miratojë Ligjin për liritë fetare, duke u shprehur se kjo çështje është në interes të të gjithë qytetarëve.
Në një postim në “X”, Ahmeti ka thënë se ky Ligj është miratuar nga Qeveria, por në Kuvend është bllokuar nga serbët.
“Qeveria e Kosovës ka miratuar Projektligjin për Liritë Fetare, por dhjetë ulëset e garantuara për komunitetin serb po garantojnë që ai të mbetet i bllokuar në Kuvendin e Kosovës”, ka shkruar Ahmeti në “X”.
Në 2023-n në Ohër, Kosova e Serbia ishin dakorduar për zyrtarizimin e statusit të Kishës Ortodokse Serbe.
Në nenin 7 të marrëveshjes përmendet zyrtarizimi dhe ofrimi "i një niveli të fortë mbrojtjeje për objektet e trashëgimisë fetare e kulturore serbe".
Kjo çështje, siç kishte thënë kryeministri Albin Kurti, do të rregullohet nëpërmjet Ligjit për liritë fetare.