Arbëri

BE-ja e shqetësuar me veprimet e fundit të Kosovës, thotë se nxisin tensione

Bashkimi Evropian i është bashkuar kritikave të shprehura edhe nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës për operacionet e autoriteteve të Kosovës në institucionet komunale në Kosovë të administruara nga Serbia. Në një deklaratë të lëshuar të dielën në mëngjes nga Shërbimi i Veprimit të Jashtëm të BE.-së (EEAS) kërkohet që statusi i këtyre institucioneve të zgjidhet përmes dialogut në kuadër të themelimit të Asociacionit të komunave me shumicë Serbe.

"Bashkimi Evropian nënvizon me shqetësim të thellë operacionet e Policisë speciale në zyrat e institucioneve të udhëhequra nga Serbia në komunat e Dragashit, Pejës, Istogit dhe Klinës si dhe në objektet e organizatës joqeveritare Qendra për paqe e tolerancë në Prishtinë. Mbyllja e papritur e këtyre zyrave do të ketë efekte negative për kushtet jetësore të përditshme për komunitete e serbëve të Kosovës, dhe do të kufizojë qasjen e tyre në shërbimet bazike sociale duke pasur parasysh mungesën e alternativave alternativave në këtë moment”, thuhet në këtë deklaratë të lëshuar nga zëdhënësi. “Statusi i këtyre strukturave është paraparë të zgjidhet përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja, në lidhje me themelimin e Asociacionit/Bashkësisë së komunave me shumicë serbe. Prandaj BE-ja kërkon nga Kosova që t'i evitojë veprimet e njëanshme të cilat mund të nxisin tensione dhe t'i adresojë këto çështje përmes dialogut të lehtësuar nga BE-ja”.

 

 

BE në mënyrë të ngjashme kishte reaguar edhe pas hyrjes në fuqi të rregullores së Bankës Qendrore të Kosovës për përdorimin e euros si valutë të vetme, që Serbia e paraqiti si ndalim i dinarit të Serbisë.

Të premten u ishte vënë dryni objekteve të komunave ilegale serbe në katër komuna të rajonit të Pejës.

“Mbesim të përkushtuar në fuqizim institucioneve të Republikës së Kosovës, në respektim të plotë të Kushtetutës sonë dhe unitaritetit të saj. Koha e paligjshmërisë ka përfunduar dhe institucioni i vetëm i Serbisë brenda Republikës së Kosovës do të jetë ambasada e saj në Prishtinë”, shkroi ministri Xhelal Sveçla në Facebook.

E reagim ka pasur edhe nga SHBA-ja të shtunën mbrëma.

Ambasadori amerikan në Kosovë, Jeffrey Hovenier, ka akuzuar autoritetet e Kosovës se po nxisin tensione ndëretnike me veprimet e fundit teksa ka përmendur edhe mundësinë e mosmbështetjes amerikane për Kosovën në arenën ndërkombëtare.

“Qeveria e Shteteve të Bashkuara të Amerikës është thellësisht e shqetësuar për veprimet e fundit të autoriteteve të Qeverisë së Kosovës që kanë ndikim direkt dhe negativ në pjesëtarët e etnisë serbe dhe minoritetet tjera në Kosovë. Këto veprime janë duke rritur në mënyrë të panevojshme tensionet ndëretnike dhe si pasojë kufizojnë opsionet që Shtetet e Bashkuara të shërbejnë si avokuese efektive për Kosovën në arenën ndërkombëtare”, thuhet në deklaratën e Hovenierit, të publikuar të shtunën në mbrëmje në platformën “X”.

Ai ka thënë se çështja e strukturave serbe duhet të përfshihen në dialog.

“Çështjet e lidhura me strukturat e përkrahura nga Serbia në Kosovë duhet të trajtohen nëpërmjet dialogut të lehtësuar nga Bashkimi Evropian. Ne gjithashtu ritheksojmë kërkesën tonë që Kosova ta shtyjë zbatimin e Rregullores së ndryshuar të Bankës Qendrore të Kosovës për Operimet me Para të gatshme deri sa të vendosen procedura të kënaqshme në përputhje me standardet evropiane dhe deri sa popullata të jetë mjaft e informuar se si do të vazhdojë tranzicioni i përfitimeve të tyre”, tha Hovenier.