Arbëri

BE-ja e quan sulm terrorist shpërthimin në Zubin-Potok

Varage

Në fundin e nëntorit tri shpërthime brenda 72 orëve ngritën alarmin në veri. Më i madhi ishte ai i mbrëmjes së 29 nëntorit, ku një shpërthim masiv dëmtoi rëndë kanalin strategjik të Ibër-Lepencit në Zubin-Potok. Ky kanal, i cili siguron ujë të pijshëm për disa qytete, ujë për ujitje dhe ftohjen e kazanëve në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK) e në Ferronikël, u sulmua me rreth 20 kilogramë eksplozivë. Autoritetet e Kosovës e konsideruan këtë akt si sulmin më të rëndë ndaj infrastrukturës kritike që nga paslufta

Foto: Driton Paçarada

Bashkimi Evropian e ka quajtur sulm terrorist shpërthimin që ndodhi të premten në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin-Potok.

Në një deklaratë të Përfaqësuesit të lartë për politikë të jashtme dhe siguri të BE-së shpërthimi është cilësuar “akt i neveritshëm sabotimi” në infrastrukturën kritike të Kosovës.

“BE-ja e dënon ashpër sulmin terrorist të kryer të premten në kanalin e ujit të Ibër-Lepencit në Zubin-Potok në veri të Kosovës. Është një akt i neveritshëm sabotimi në infrastrukturën kritike civile të Kosovës, që siguron ujë të pijshëm për një pjesë të konsiderueshme të popullsisë së Kosovës dhe është një komponent jetik i sistemit energjetik të Kosovës”, thuhet në komunikatë.

Në këtë deklaratë BE-ja ka thënë se u ka ofruar mbështetje autoriteteve të Kosovës.

“Ne qëndrojmë në solidaritet me të gjithë në Kosovë që janë prekur nga ky sulm”, thuhet në komunikatë.

“Akti kriminal i kryer në Zubin-Potok duhet të hetohet dhe përgjegjësit duhet të sillen para drejtësisë. Në këtë aspekt, BE-ja u bën thirrje të gjitha palëve që të bashkëpunojnë plotësisht me autoritetet e Kosovës dhe ne do të vazhdojmë të përcjellim nga afër zhvillimet”, thuhet në deklaratë.

Sulmi mbrëmjen e 29 nëntorit në kanalin e ujësjellësit të Ibër-Lepencit në Varagë të Zubin-Potokut shkaktoi dëme të konsiderueshme, por ato u sanuan pjesërisht brenda orësh. Autoritetet e Kosovës e kanë cilësuar terrorist sulmin dhe përgjegjëse e kanë bërë Serbinë. Sulmi është dënuar nga bashkësia ndërkombëtare. Kryeministri Albin Kurti gjatë vizitës në vendngjarje konfirmoi se Policia ka arrestuar disa persona dhe ka konfiskuar materiale të ndryshme.