Potencial për rritjen e tensioneve dhe përshkallëzimin e situatës në veri e kanë cilësuar zyrtarë të Bashkimit Evropian, aksionin e javës së shkuar të autoriteteve të Kosovës për mbylljen e zyrave ilegale serbe. Derisa në BE thanë se po punojnë për aranzhimin e një takimi në nivel të kryenegociatorëve për të diskutuar zhvillimet e fundit, njohës të zhvillimeve nuk e përjashtojnë mundësinë që në tryezë të rikthehen çështjet të cilat nuk kanë gjetur zbatim prej vitesh.
Zyrtarë të Bashkimit Evropian kanë thënë se janë duke punuar për aranzhimin e një takimi në nivel të kryenegociatorëve mes Kosovës dhe Serbisë.
Gjatë një konference për media zëdhënësi i BE-së ka përsëritur kritikat ndaj qeverisë së Kosovës për siç ka thënë veprimet e njëanshme dhe të pakoordinuar në veri, pas mbylljes së zyrave ilegale serbe javën e shkuar.
“Ne e konsiderojmë këtë shumë të padobishëm dhe hap tjetër të njëanshëm e të pakoordinuar që ka kapacitet të rrisë tensionet dhe të çojë në përshkallëzim të mëtejshëm. Dështimi i palëve për të ulur tensionet do të ketë pasoja”, tha zëdhënësi i BE-së, Peter Stano.
Veç mbylljes së zyrave që Kosova i konsideron ilegale në veri, qeveria prej javësh ka paralajmëruar hapjen e Urës mbi Ibër, veprim ky që po ashtu nxiti reagim të fortë ndërkombëtarë.
E njohës të zhvillimeve nuk e përjashtojnë që të bëhen përpjekje për trajtimin e këtyre temave në fazën e ardhshme të dialogut.
Helena Ivanov, hulumtuese në think-tankun “The Henry Jackson Society”, me seli në Mbretërinë e Bashkuar, ka komentuar mundësinë që hapja e urës të ndërlidhet me themelimin e Asociacionit të Komunave me shumicë serbe.
“Këto marrëveshje janë nënshkruar në letër në të kaluarën por problemi është se ka pasur shumë pak zbatim në praktikë. Në këtë rast mendoj se duhet dëgjuar se çfarë thotë komunitetit ndërkombëtar, posaçërisht Bashkimi Evropian, KFOR-i dhe vendet e QUINT-it, ku do të duhej të trajtohen të gjithë këto çështje; Asociacioni i komunave me shumicë serbe, rihapja e urës dhe cilado çështje tjetër duhet të zgjidhet përmes dialogut si pjesë e normalizimit të marrëdhënieve. Çdo përpjekje tjetër për zgjidhjen e këtyre çështjeve do të shihet si veprim i njëanshëm dhe tentim për ta tensionuar situatën edhe ashtu të brishtë”, tha Ivanov.
Por zyrtarë të qeverisë së Kosovës e kanë përsëritur disa herë se çështja e urës është mbyllur me marrëveshjet e arritura, pas të cilave BE-ja pati kryer punimet për rivitalizimin e urës.
Veç refuzimit të qeverisë së Kosovës për të negociuar rreth urës, BE-ja në disa raste u paralajmërua edhe nga Serbia se nuk do t’i zbatojë ato pika të marrëveshjes të cilat ia konfirmojnë shtetësinë Kosovës, siç është anëtarësimi në OKB.
E, Ivanov thotë se BE-ja duhet të gjejë mënyra për t’i shtyrë palët drejt zbatimit të marrëveshjeve.
“Kjo mund të bëhet përmes metodës së ‘karrotës’ dhe ‘shkopit’, që do të thotë shpërblim për palën që zbaton atë për të cilën është zotuar dhe të njëjtën kohë ndëshkimin e të dyja palëve në rastet kur ato dështojnë t’i zbatojnë marrëveshjet apo në rastet kur kryejnë veprime të njëanshme”, tha Ivanov.
BE-ja disa herë e ka bërë të qartë se moszbatimi i marrëveshjeve do të ndikojë në rrugët përkatëse të Kosovës e Serbisë drejt integrimit në BE.
Kosova vazhdon të jetë nën masa sanksionuese të cilat BE-ja nuk i hoqi me gjithë insistimin e qeverisë se ka ndërmarr hapat e kërkuar për shtensionimin e situatës në veri.