Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Agon Batusha, ka deklaruar se dialogu aktual me Serbinë është i pakuptimtë, duke u shprehur se duhet pritet ndryshimet brenda politikës së Bashkimit Evropian në 2025-n.
Ai ka thënë të hënën në “60 Minuta” të KTV-së, se kushtet e presidentit serb, Aleksandar Vuçiq janë për t’i bërë presion Kosovës nëpërmjet bashkësisë ndërkombëtare.
“Pikat apo kushtet e Vuçiqit janë qesharake pasi vetë kishte bërë thirrje për bojkot, e tash po i qet si kushte për ndërkombëtarët që t’i bëhet presion Kosovës. Është banale, qasje e gabuar e nëse ndërkombëtarët e marrin si qasje të gabuar. Kosova ka pritur një kohë që të kthehen (policët e dorëhequr në veri), janë procedurat kohore që duhet të kthehen, e kjo nuk kryhet me negociata”, është shprehur Batusha.
Deputeti i partisë në pushtet është shprehur se nëpërmjet ndryshimeve të brendshme në institucionet e BE-së “mund të gjendet një rrugë për vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi”.
“Dialogu i tillë, me qasjen që e ka ndërmjetësuesi dhe me qasjen e Vuçiqit, nuk e di çfarë ka mbetur në këtë dialog. Duhet të priten ndryshime në 2025-n, pasi të ketë ndryshime brenda Bashkimit Evropian dhe mund të gjendet një rrugë. Jam skeptik se mund të ketë rezultat me një Serbi të tillë. Qasja nga fillimi ka qenë shumë ledhatuese dhe përkrahëse për Serbinë”, është shprehur tutje ai.
Batusha ka thënë se s’ka arsye që Ura e Ibrit të vazhdojë të jetë e mbyllur, duke përmendur se me marrëveshjet e kaluara me Serbinë, palët ishin dakorduar në Bruksel që ura të hapej.
“Në 2015-n dhe 2016-n në dialog, janë dakorduar qeveritë që ura të hapej. Tash, sipas marrëveshjes po bëhen analiza, e po na thuhet ‘të presim’. Hapja e urës është simbolike kundër tentativës së Vuçiqiqit për ndarjen e veriut”, ka shtuar ai.