Arbëri

Aktivizohet Prokuroria pas raportimit të KOHËS për punimet në objektin ku AAK-ja kishte selinë

Policia ka bastisur zyrat e Ministrisë së Bujqësisë të enjten, një ditë pas raportimit të KOHËS se ky institucion ka paguar 66 mijë euro për largimin e inventarit nga objekti, në të cilin e ka pasur selinë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Një video dëshmon se disa nga hapësirat nuk kanë pasur fare inventar. Sipas Prokurorisë Speciale, zyrtarë të kësaj ministrie dyshohen për keqpërdorim të pozitës zyrtare, për mashtrim dhe për falsifikim të dokumenteve

Janë aktivizuar autoritetet, një ditë pas raportimit të KOHËS se shteti ka paguar 66 mijë euro në emër të heqjes së inventarit nga objekti i Ministrisë së Bujqësisë, në një pjesë të të cilit Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) e ka pasur selinë.

Të enjten kjo ministri është bastisur nga Policia.

Sipas njoftimit të Prokurorisë Speciale, hetimet janë autorizuar nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) me qëllim të mbledhjes dhe të sigurimit të provave për të sqaruar rrethanat.

“Zyrtarët e Ministrisë, sipas njoftimit, dyshohen për përfshirje në veprat penale ‘Keqpërdorim i pozitës zyrtare’, ‘Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik’ dhe ‘Falsifikimi i dokumenteve’”, kanë bërë të ditur në Prokurorinë Speciale.

KOHA ka raportuar se 66 mijë euro të buxhetit të shtetit i janë dhënë një konsorciumi, për ta larguar inventarin nga objekti që ndodhet në “Ulpianë”, e ku për vite e ka pasur selinë AAK-ja. 
Ministria ka paguar nga 2 mijë euro për heqjen e mobilieve nga secila prej 33 hapësirave të ndërtesës, përfshirë salla, korridore e banja të katit të dytë dhe nga bodrumi. Një video dëshmon se hapësira e shkallëve, e edhe ato në bodrum, kanë qenë të pastruara dhe se në to nuk ka pasur orendi.

Autoritetet nuk kanë treguar për zyrtarët e dyshuar, por menaxheri i kontratës, me inicialet B. D. është parë i shoqëruar nga pjesëtarët e Policisë. 

Nga selia e Ministrisë janë parë edhe dokumente që kanë nxjerrë hetuesit.

KOHA ka kërkuar 10 ditë më parë nga Ministria e Bujqësisë që të lejohet qasja në objekt për të parë nga afër punimet që janë bërë aty dhe për të vërtetuar gjendjen faktike në terren, porse ka munguar një përgjigje për këtë.

E, në videot e siguruara shihet se bodrumi që ka qenë pjesë e kontratës për rinovim, edhe pse nuk shfrytëzohej nga AAK-ja, është pastruar para se të largohej kjo parti nga ndërtesa dhe se në të nuk kishte inventar.

Shuma e njëjtë nga 2 mijë euro është dhënë edhe për tualete që nuk kanë inventar e krahas kësaj, për secilën nga to është paguar edhe për demolimin e elementeve sanitare. Vetëm për njërën nga to janë paguar 1 mijë e 500 euro.

Kontrata në vlerë 359 mijë euro është lidhur me konsorciumin e përbërë nga kompanitë “Limit Projekt” dhe “Lurn”. Bazuar në të, krahas heqjes së orendive, duhet kryer edhe renovimi i rreth 600 metrave katrorë dhe të bëhen intervenime në kulm. 

Krahas kësaj është lidhur edhe një anekskontratë në vlerë rreth 9 mijë euro. Shkak për këtë, sipas Ministrisë, kanë qenë gabimet në paramasa të bëra nga projektuesi.
 


Bastiset Ministria e Bujqësisë pas raportimit të KOHËS se pagoi 66 mijë € për t'i hequr mobiliet nga ndërtesa ku e kishte selinë AAK-ja

Policia e Kosovës ka bastisur të enjten Ministrinë e Bujqësisë, Pylltarisë dhe Zhvillimit Rural, që drejtohet nga Faton Peci, pas raportimit të KOHËS për pagesën e 66 mijë eurove për heqjen e mobilieve nga ndërtesa që më parë shfrytëzohej nga Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK).

Prokuroria Speciale ka njoftuar se hetimet janë autorizuar nga Drejtoria e Hetimit të Krimeve Ekonomike dhe Korrupsionit (DHKEK) me qëllim të mbledhjes dhe sigurimit të provave për të sqaruar rrethanat e çështjes.

Zyrtarët e Ministrisë, sipas njoftimit, dyshohen për përfshirje në veprat penale “Keqpërdorim i pozitës zyrtare”, “Keqpërdorimi dhe mashtrimi në prokurim publik” dhe “Falsifikimi i dokumenteve”.

KOHA ka raportuar se 66 mijë euro të buxhetit të shtetit i janë dhënë një konsorciumi, për ta larguar inventarin nga objekti i Ministrisë së Bujqësisë, ku për vite e pati selinë AAK-ja. 

Ministria pagoi nga 2 mijë euro për heqjen e mobilieve nga secila prej 33 hapësirave të ndërtesës, përfshirë salla, korridore e banja të katit të dytë, por edhe nga bodrumi.

Shuma e njëjtë u dha edhe për tualete që nuk kanë inventarë, e krahas kësaj, për secilën nga to u pagua edhe për demolimin e elementeve sanitare. Vetëm për njërën nga to u paguan 1 mijë e 500 euro.

Për këto shërbime dhe rinovimin e më pak se 600 metrave katrorë, Ministria e Bujqësisë i ka shpenzuar 370 mijë euro.


Bastisje në Ministrinë e Bujqësisë

Në Ministrinë e Bujqësisë të enjten është kryer një bastisje nga Njësitet Ekonomike të Policisë.

Ende nuk ka informacione se për çfarë është kryer ky aksion.

KOHA ka provuar të kontaktojë me Policinë dhe ka dërguar pyetje te Ministria e Bujqësisë. Posa të ketë përgjigje, artikulli do të përditësohet.