Arbëri

Bashota: Thaçi s’ka pasur mundësi të lëshojë urdhra për veprime ushtarake apo për zona

Sokol Bashota

(E përditësuar 11:55) - Bashota përfundon dëshminë në Speciale. 


Në Dhomat e Specializuara të Kosovës (DhSK) në Hagë, po vazhdon dëshminë Sokol Bashota si dëshmitar i 109-të në procesin gjyqësor ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit.

Dëshmitari Bashota në seancën e sotme deklaroi se Thaçi nuk ishte në gjendje të lëshojë urdhra për zonat. Ndërsa, duke u përgjigjur në pyetjet e gjyqtarit Christoph Barthe, ai tha se drejtori i Drejtorisë Politike s’e ka pasur këtë mundësi.

“Drejtori i Drejtorisë Politike nuk ka mujt me lëshu urdhra për veprime ushtarake apo për zonat. Ky ka qenë drejtor i Drejtorisë Politike. Mbi bazën e kësaj”, tha Bashota.

Sipas tij, kjo kompetencë e urdhrave ushtarake për ushtarët nëpër zona ka qenë ekskluzivisht e Bislim Zyrapit.

“Ajo ka qenë kompetencë ekskluzive e Bislim Zyrapit, komunikimi me komandantët e zonave. Ka qenë shef i Shtabit prandaj”, tha Bashota.

Ai tha se e ka fjalën për urdhrat që kanë të bëjnë me zonat për shkak se për ato, sipas tij, nuk ka pasur mundësi të ekzistojnë urdhra politik.

Bashota kishte thënë se Thaçi nuk ishte në gjendje të lëshonte urdhra as lidhur me persona të ndaluar.

Gjithashtu, ai tha se edhe si kryeministër i Qeverisë së Përkohshme, nuk e di nëse Thaçi e ka pasur mundësinë të japë urdhra për ushtarët.

Në fillim të seancës, pyetjet shtesë i bëri mbrojtja e Thaçit e përfaqësuar nga avokati Luka Mishetiq.

Dëshmitari tha se nuk e di si është marrë vendimi që Adem Demaçi të bëhet përfaqësues politik. Gjithashtu, tha se të gjithë qytetarët e Kosovës kanë pasur dëshirë që ta shohin Kosovën të strukturuar.

Vlen të theksohet se dëshmitari Sokol Bashota është i pranishëm me avokatin Artan Qerkini nga i cili edhe përfaqësohet.

Zyra e Prokurorit të Specializuar, më 30 shtator 2022 ka dorëzuar aktakuzën e konfirmuar të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit dhe Rexhep Selimit, e cila përbëhet nga dhjetë pika me akuza, ku këta të fundit ngarkohen për krime lufte e krime kundër njerëzimit. 

Më 29 prill 2022, Zyra e Prokurorit  të Specializuar kishte dorëzuar një aktakuzë të ndryshuar ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit e Jakup Krasniqit, ku pretendohet se katër të akuzuarit kanë kryer krime lufte edhe në Gjilan, Budakovë e Semetishtë.

Më 9 nëntor të vitit 2020, në paraqitjet e tyre të para, Jakup Krasniqi e Hashim Thaçi janë deklaruar të pafajshëm për akuzat që u vihen në barrë. Njëjtë është deklaruar edhe Veseli në paraqitjen e tij më 10 nëntor, sikurse edhe Rexhep Selimi më 11 nëntor.

Aktakuza ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit është konfirmuar më 26 tetor 2020./BetimipërDrejtësi

Të gjitha lajmet për dëshminë e Bashotës në Speciale

ZPS-ja pushon hetimet për Sokol Bashotën

4 muaj më parë / 5 dhj 2024 12:52
Sokol Bashota duke deshmuar ne Gjykaten Speciale

Zyra e Prokurorit të Specializuar (ZPS) ka pushuar hetimet ndaj Sokol Bashotës për vepra penale që ndërlidhen me krime të luftës.

Kjo është bërë e ditur nga vetë Bashota pas përfundimit të dëshmisë së tij më shumë se katërditore, në çështjen gjyqësore ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Rexhep Selimit dhe Jakup Krasniqit, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Në vitin 2019 isha ftuar nga Zyra e Prokurorit të Specializuar në cilësinë e personit të dyshuar të intervistohesha nga kjo zyrë. Pas (5) viteve hetime, tani, me datën 19 Shtator 2024 jam njoftuar zyrtarisht se të gjitha hetimet ndaj meje kanë pushuar”, tha Bashota përmes një postimi në rrjete sociale.

Ai tha se kjo nuk është vetëm fitore e tij, por edhe triumf i luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

“Pushimi i hetimeve ndaj meje nuk është fitore vetëm e imja, por edhe triumf i pastërtisë së luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës. Gjithnjë kam besuar në pastërtinë e luftës së UÇK-së, i bindur se me asnjë veprim timin dhe bashkëluftëtarëve nuk kemi cenuar normat ligjore dhe ato njerëzore. Pastërtia e luftës së shenjtë të UÇK-së, u konfirmua edhe një herë zyrtarisht. Shfrytëzoj rastin ta falënderoj edhe avokatin tim z. Artan Qerkini për ndihmën profesionale në arritjen e këtij qëllimi”, shkroi tutje Bashota.

Ndryshe, ditë më parë, ZPS-ja ka pushuar hetimet edhe ndaj Halil Çadrakut e po ashtu edhe ndaj Shukri Bujës.