Komisioni për Administratë Publike, Pushtet Lokal, Media dhe Zhvillim Rajonal ka shqyrtuar raportin vjetor të Radio Televizionit të Kosovës, për vitin 2020.
Kryetari i Bordit të RTK-së, Sali Bashota, ka thënë se ky është një raport që del nga raportet mujore që i ka shqyrtuar bordi.
Ai ka thënë se Bordi i RTK-së për 8 muaj ka qenë pa kuorum për shkak të moskonsolidimit të Kuvendit dhe një barrë e tillë i ka takuar menaxhmentit.
“Në gusht bordi është konstituuar dhe ka shqyrtuar gjithë punët. Menaxhmenti është marrë më shlyerjen e borxhit. Prioritet i bordit është që RTK-ja të jetë afër qytetarëve. Janë shumë probleme që e përcjellin RTK-në me vite të tëra. Problemet financiare, godinën, probleme me pronën dhe infrastrukturën. Kjo sfidë është e trashëguar dhe duhet të kalohet, projektligji për RTK-në. Kjo do të hiqte barrën nga Kuvendi dhe qytetarët do të participonin në buxhetin e këtij mediumi”, ka thënë ai.
Deputeti Agim Veliu ka thënë se në bazë të informacionit të bordit, raporti është dorëzuar në afat ligjor.
“Sepse kur bëhen gjërat në kohë është mirë. Unë kisha me bë një pyetje se pse për raportin e RTK-së është i paraparë edhe debati publik dhe sipas raportit në debat publik nuk ka pasur të interesuar. Më intereson të di nëse ka hulumtuar bordi dhe menaxhmeti se pse qytetarët nuk kanë marrë pjesë në këtë debat publik? A kanë menduar bordi dhe menaxhmeti të gjejnë forma të tjera”, ka pyetur ai.
Bashota i është përgjigjur se ftesa është bërë me kohë dhe ndoshta për shkak të pandemisë nuk kanë marrë pjesë.
Ndërsa, deputeti i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Besnik Tahiri, ka kërkuar nga Bordi që të vjen me një dokument shtesë rreth gjendjes së RTK-së lidhurm e problemet që ka, si puna e mungesës së pronës,.
“Qe 17 vjet shkoj në RTK dhe nuk ka objekt. A keni ju ndonjë vizion për këtë çështje? Tek financimi, ne kemi pasur problem gjithmonë për financim të RTK-së. Do doja të kishim raport me shkrim për pikat. Çka mendoni për objektin, ku mundet me qenë parcela, cila do të ishte më e përshtatshme? Puna e financimi dhe e treta lidhet me inovacionet. Nëse e shohim që transmetuesin publik kroat shihet që ka inovacion, s’po them që nuk ka inovacion në skemën programore, p.sh është duke i trajtuar disa çështje të rëndësishme p.sh për kolegët tonë në Hagë. Mirëpo, unë po flas për me e ndreqë RTK-në, financimi dhe çështja e pronës”, ka thënë ai.
Deputeti i LVV-së, Blerim Muzaqi, ka pyetur rreth programeve të RTK-së, duke thënë se qytetarët presin të marrin program të mirë dhe të ketë mbulueshmëri.
“Qytetarët me të drejtë presin të marrin program të mirë, më intereson një përqindje për programet e arsimit, kulturës e politikës?
Drejtori i RTK-së, Ngadhnjim Kastrati, ka thënë se janë duke punuar me DDN-in për çështjen e mbulueshmërisë, derisa Bashota ka thënë se duhet punuar për emisione të kulturës dhe arsimit.
Tutje, deputeti Nijazi Isaku, ka pasur pyetje lidhur funksionimit të RTK-së.
“A zbatohet kodi i etikës dhe a përdoret i njëjti standard për gazetarët. Kemi një deklaratë të Mentor Shalës, ku thotë se qytetarët vendosën për Rusinë, cilat janë masat që i keni marrë ju”, ka pyetur ai.
“Ne e respektojmë kodin e etikës. Nuk dua të deklarohem për këtë çështje”, ka thënë Bashota.
Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Valon Ramadani, ka pyetur kryetarin e Bordit të RTK-së, Sali Bashotën, rreth 300 mijë eurove që ishin planifikuar për shfrytëzim, derisa ky i fundit ka thënë se ato do shpenzoheshin për marketing.
“Brenda vitit do të kthehen”, ka thënë ai.