Arbëri

Basha i bindur se do t’i marrin 50%: S’kemi nevojë për koalicion

Dimal Basha

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, është shprehur i bindur se në zgjedhjet e 9 shkurtit do t’i fitojnë mbi 50 për qind.

Në një intervistë në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” të martën, Basha ka thënë se nuk do t’u nevojiten koalicion teksa partitë opozitare i akuzon për “programe të rrezikshme” për Kosovën.

“E kam një bindje të thellë që do të arrijmë 500 mijë vota, do t’i marrim 50 për qind. Nuk do të kemi nevojë për koalicion. Kemi me i mbërri 53 për qind, besoj unë. Nuk mendoj që na nevojitet koalicion me partitë të cilat nën një nuk janë reformu dhe e dyta programet që i kanë janë të rrezikshme për Kosovën”, ka thënë ai.

Më tej, Basha ka dhënë disa argumente të cilat sipas tij tregojnë se partitë opozitare nuk janë reformuar dhe kanë program të rrezikshëm për Kosovën.

“Nuk është reformë e AAK-së kur e ka ende Blerim Kuçin, që i ka dhënë tender 5 milionë euro kompanisë së vet. E kemi Pal Lekajn që i ka bo 53 mln euro, e kemi Ramush Haradinajn që sipas raporteve amerikane është i lidhur me krimin. E kemi LDK-në që thotë se Telekomi duhet me u privatizu, kjo është jashtëzakonisht e rrezikshme. Kjo tregon që ata duan me vazhdu avazin e vjetër. Për PDK-në s’po foli. Bedri Hamza është figurë, por për shembull kur shkojnë në Drenas, Skenderaj – aty shihen individë që e kontrollojnë të gjithë partinë. Sami Lushtaku ta blen tokën me 50, ta shet me 5 mijë shtetit, qysh me bë koalicion me të? Ai person nuk duhet të jetë në strukturë”, ka shtuar ai.

Megjithatë, deputeti i LVV-së nuk përjashtoi se pas zgjedhjeve mund të ketë koalicion.


Basha për bërtimat e Kurtit në fushatë: Për qytetarët kanë rëndësi fjalët, jo toni

Kandidati për deputet i Lëvizjes Vetëvendosje, Dimal Basha, ka thënë se nuk ka rëndësi toni që përdor kryeministri Albin Kurti nëpër tubime elektorale, por e rëndësishme sipas tij janë fjalët që thotë.

Sipas Bashës, është hera e parë pas katër vjet qeverisje që një kryeministër del faqebardhë para elektoratit.

“E ka tonin e vet. Nuk ja këqyri tonin, po fjalët, premtimet. Është një entuziazëm i madh edhe te kryeministri, edhe te elektorati. Kjo ka me u përkthy në votë. Për ne dhe qytetarët ka rëndësi fjalët që po i thotë, jo toni. Është hera e parë pas katër vjet qeverisje që një kryeministër del para elektoratit faqebardhë, nuk ka asnjë krim, asnjë korrupsion dhe mundet me dalë ndershëm para tyre e me i kërku me vazhdu edhe katër vjet këtë punën e mirë që është nis”, ka thënë ai në emisionin “Zgjedhjet në KOHË” të martën.