Kontratat njëburimore patën qenë shkak përplasjesh mes deputetëve të opozitës e të pushtetit javë më parë në Kuvendin e Kosovës kur kjo temë u diskutua në seancë të jashtëzakonshme. Opozita e pati akuzuar Qeverinë për kontrata të tilla, e deputetët e Lëvizjes Vetëvendosje e patën lëshuar sallën duke thënë se deputetët e tjerë po i ofendojnë.
Deputeti i Vetëvendosjes, Dimal Basha, ka thënë se prokuroria nuk ka asnjë dëshmi për ato që ka thënë opozita, e se kjo e fundit nuk po ka çfarë të thotë tjetër. Sipas tij, partitë në opozitë kanë ndikim të madh në sistemin e drejtësisë.
“Me pasë këta dëshmi për kontrata njëburimore, prokuroria ne as në shtëpi nuk na lë me hy, 24 orë na lidhë. Nuk kanë asgjë. Këta prokurorinë e angazhojnë 24 orë me na ndjekë ne, meqë prokuroria nuk ka asgjë këta dalin gjuajnë miza nëpër Kuvend. Opozita ka influencë të madhe në prokurori e gjyqësor. Aty ka prokurorë e gjyqtarë shumë të mirë, por ata askush nuk i sheh në pozita”, ka thënë ai në Interaktiv.
Basha ka folur edhe për zotimin për banimin e përballueshëm. Sipas deputetit Basha, ministri i Financave, Hekuran Murati, ka arritur ta sigurojë një kredi.
“Jemi me vonesë aty. Është në proces e sipër. Ministri i Financave i ka garantuar fondet. Është një kredi e garantuar, por nuk e di saktë prej kur. Ministri e ka siguruar kredinë për banimin e përballueshëm. Ndoshta është prej Bankës Botërore, nuk e di. Ka filluar studimi i fizibilitetit nëpër komuna”, ka thënë ai.