Arbëri

Barrierat e Asociacionit

Megjithëse e pranojnë se dialogu i Brukselit dhe anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës janë dy procese të ndara, në BE i kanë arsyetuar parakushtet që i janë vënë Kosovës për anëtarësim në këtë organizatë. Kanë përmendur vlerat që përfaqësojnë të dyja organizatat. Por, në marrëveshjet për të cilat u pajtuan palët me ndërmjetësimin e BE-së, kërkohet shmangia e pengesave në anëtarësime e edhe që zbatimi i dokumentit të bëhet pa u bazuar në rendin e paragrafëve në marrëveshje

Kushtëzimi i anëtarësimit të Kosovës në Këshillin e Evropës (KiE) me çështje nga dialogu i Brukseli konsiderohet të jetë në shpërputhje me ato që vetë Bashkimi Evropian (BE) ua propozoi palëve. 

Në nenin 4 të Marrëveshjes Bazë përcaktohet se “palët nisen nga supozimi se asnjëra nga këto të dyja nuk mund të përfaqësojë palën tjetër në sferën ndërkombëtare apo të veprojë në emër të saj”. 

“Serbia nuk do ta kundërshtojë anëtarësimin e Kosovës në asnjë organizatë ndërkombëtare”, thotë marrëveshja. 

Ndërkaq Aneksi i zbatimit, që u dakordua më 18 mars 2023 në Ohër, përcakton se “Kosova dhe Serbia pajtohen që të gjitha nenet do të implementohen në mënyrë të pavarur nga njëra-tjetra”.

“Rendi i paragrafëve të këtij Aneksi është pa paragjykim ndaj rendit të implementimit të tyre. Kosova dhe Serbia pajtohen të mos e bllokojnë implementimin e asnjërit nen”, vijohet më tej në Aneks. 

Por zyrtarë qeveritarë në disa raste janë ankuar se vetë ndërmjetësit në dialog e kanë kushtëzuar zbatimin e pikave tjera të Marrëveshjes me Asociacionin. Po ashtu paralajmëruan se përzierja e dialogut me anëtarësimin e Kosovës në Këshillin e Evropës sjell pasoja për të dyja proceset. 

Shtetet më të fuqishme të Bashkimit Evropian, që janë po ashtu anëtare të Këshillit të Evropës, i vunë parakusht Kosovës procedimin e draftstatutit të Asociacionit në Gjykatën Kushtetuese, në këmbim të mbështetjes në Këshill.

Këtë qasje në BE e arsyetojnë me vlerat që përfaqësojnë të dy organizatat. 

“Dialogu i lehtësuar nga BE-ja dhe aplikimi i Kosovës për anëtarësim në Këshillin e Evropës (KE) janë procese të veçanta. Megjithatë, si BE-ja ashtu edhe KiE-ja janë organizata që bazohen në respektimin e sundimit të ligjit, të drejtave të njeriut dhe mbrojtjen e të drejtave të njerëzve që u përkasin pakicave kombëtare”, ka thënë zëdhënësi i BE-së, Peter Stano. 

Ai ka rikujtuar se themelimi i Asociacionit të komunave me shumicë serbe është obligim i paplotësuar i Kosovës që nga Marrëveshja e vitit 2013 – e vetmja Marrëveshje e dialogut e ratifikuar nga Parlamenti i Kosovës me shumicën prej dy të tretave të votave.

“Prandaj është një obligim i qartë ligjor për Kosovën sipas ligjit ndërkombëtar dhe rrjedhimisht një çështje e sundimit të ligjit, e rëndësishme për të dyja organizatat”, ka theksuar Stano, duke shtuar se BE-ja mirëpret gatishmërinë e Kosovës për t’u angazhuar përfundimisht tani për themelimin e këtij mekanizmi. “Përmbajtja e statutit të paralajmëruar se do të hartohet nga Qeveria e Kosovës nuk dihet dhe nuk është diskutuar me Serbinë dhe lehtësuesin e BE-së. Prandaj është e pamundur të vlerësohet përputhshmëria e tij me marrëveshjet e 2013 dhe 2015 në këtë fazë”.

Një ditë më parë kryediplomatja Donika Gërvalla njoftoi se Kosova është e gatshme që deri në fund të muajit ta deponojë në Kushtetuese një draftstatut të Asociacionit që do ta hartojë vetë, por jo draftin e propozuar nga BE-ja. Kjo, me qëllimin për ta bindur Komitetin e Ministrave që ta pranojë Kosovën në KiE. E, meqë të premten pranimi nuk ndodhi, Gërvalla tha se më kjo nuk vlen.

Emisari i Shteteve të Bashkuara të Amerikës për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar, mandati i të cilit është në prag përfundimi, ka thënë se ndërkombëtarët duhet të kishin insistuar më shumë në zbatimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe sesa në përafrimin e palëve.

Sipas tij, Asociacioni është çështja më e vështirë për Kosovën, prandaj ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal drejt tij fillimisht.

“Ne duhej të insistonim më shumë në implementimin e plotë të Asociacionit të komunave me shumicë serbe se në ndërmjetësimin që të dyja palët të bëhen bashkë, sepse në disa raste e kemi vërejtur mungesën e vullnetit të mirë nga të dyja palët. Interpretimi dhe implementimi i Asociacionit është kyç për Kosovën. Është më i vështiri dhe si më i vështiri ishte e rëndësishme që Kosova të jepte sinjal të vullnetit të saj për të adresuar çështjen e minoritetit serb në territorin e saj”, ka thënë Escobar, në një intervistë për Qendrën e Këshillit Atlantik.

Ai ka theksuar se Kosova duhet ta pranojë propozimin evropian për Asociacionin dhe me këtë t’i hapë rrugë SHBA-së për të lobuar për njohje të reja. 

“Nga perspektiva e Amerikës, për shkak se rruga e BE-së përfshinte pjesë të Asociacionit në çdo hap, ne besojmë se me pranimin e propozimit evropian, përmes procesit evropian që është dialogu dhe një marrëveshje që garantohet nga BE-ja, do t’i jepte palës amerikane një mundësi për të lobuar te shtetet evropiane për të thënë se Kosova ka bërë gjithçka që ka kërkuar BE-ja dhe për të kërkuar për njohje të reja. Pa këtë ne nuk kemi shumë material me të cilin mund të punojmë”, është shprehur ai. 

Ligjëruesi i diplomacisë, Valon Murtezaj, ka thënë se mosanëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është dështim edhe i Bashkimit Evropian. 

“Ky është një dështim edhe i palës së Bashkimit Evropian, megjithatë për të konkluduar se a është dështim i të dyja palëve, mungojnë disa informacione që asnjëherë nuk janë shpalosur nga Qeveria e Kosovës për publikun. Nëse anëtarësimi në KiE dështon për shkak të këtij korrelacioni me procesin e dialogut, natyrisht që edhe procesi i dialogut do të ndikohet nga konsekuenca e situatës së re”, ka thënë Murtezaj.   

Ndërkaq Gerald Knaus nga Iniciativa Evropiane për Stabilitet e ka quajtur fatale për ministrat e Jashtëm injorimin e “formulës së Ahtisaarit” për paqe dhe rekomandimin e Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, që Kosova të ftohet për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës. 

“Ministrat e Jashtëm në Strasburg duhet ta caktojnë një datë të re për një takim të jashtëzakonshëm brenda javësh, që të votohet për aplikimin e Kosovës sapo të ecë në çështjen e Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Kjo do t’i çonte sinjal të qartë Serbisë se shtetësia e Kosovës është e qëndrueshme dhe ruan mbështetjen e plotë të demokracive evropiane”, ka shkruar ai në platformën X.

Brukseli ua ka bërë të qartë palëve në disa raste se marrëveshjet janë të zbatueshme në tërësinë e saj dhe tashmë ato janë pjesë integrale në rrugëtimin e tyre drejt BE-së, pavarësisht se nuk janë firmosur. 

Zbatim të plotë nuk ka gjetur as Marrëveshja e Parë, e ashtuquajtur për Normalizimin e Marrëdhënieve mes dy vendeve. Gjashtë pikat e para të saj i referohen Asociacionit të komunave me shumicë serbe. Në vitin 2015 ishte arritur marrëveshje tjetër mbi parimet e Asociacionit, të cilën Gjykata Kushtetuese e pati hedhur poshtë. 

Për këtë mekanizëm aranzhim pranoi edhe qeveria Kurti me Marrëveshjen Bazë të arritur më 27 shkurt 2023 në Bruksel dhe Aneksin për zbatimin e saj më 18 mars në Ohër. Më pas, BE-ja ia dorëzoi qeverisë edhe një draftstatut për Asociacionin e Komunave me Shumicë Serbe, për të cilin kërkon që të miratohet sa më shpejt dhe i njëjti t’i përcillet për interpretim Gjykatës Kushtetuese. 

Por kryeministri Kurti e bëri të qartë se pa nënshkrim të të gjitha marrëveshjeve nuk do të themelohet Asociacioni.