Arbëri

Baraliu: S’ka manipulim me vota, partia në pushtet pati strategji për votuesit në diasporë

Mazllum Baraliu

Ish-kryetari i Komisionit Qendror të Zgjedhjeve, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se nuk ka pasur manipulim me procesin e numërimit të votave të zgjedhjeve së 9 shkurtit. Ai ka deklaruar se Komisioni Qendror i Zgjedhjeve (KQZ) ka organizuar proces transparent dhe me mbikëqyrje gjatë numërimit të votave, derisa përmendi se partitë patën strategji për marrjen e votave.

Ai foli për procesin e votave me postë.

“Nuk shoh vend për manipulim pasi sistemi i tillë ka qenë i dizajnuar. KQZ-ja i ka zgjedhur komisionerët që partitë i propozojnë. Komisionerët kanë qenë edhe në përfaqësi diplomatike, mbikëqyrja ka qenë gjithkund, e edhe në transportin e votave nga pikat votuese”, ka deklaruar Baraliu të hënën në “Interaktiv” të KTV-së.

Profesori i çështjeve juridike ka thënë se partia në pushtet ka pasur strategji për bindjen e qytetarëve në diasporë për ta votuar, e jo manipulim të procesit.

“Dallimi i asaj që quhet qeverisje në pushtet është më i madh në krahasim me këtë, por edhe në formën tjetër që është strategji e zgjedhur e subjekteve politike. Kemi përsëri dominim të subjektit që ka qeverisur deri më tash. Ka 52 për qind, më shumë vota jashtë sesa që i ka fituar në vend. Ka qenë çështje e strategjisë, e jo e manipulimit”, ka thënë Baraliu.

Ish-kryetari i KQZ-së tha se procesi i numërimit e ka humbur qartësinë, por jo edhe integritetin.

“Nga ajo që dimë është që nuk ka ankesa të zhurmshme të bëra transparente. Kemi një proces që ka shkuar mirë, pjesëmarrje të qytetarëve relativisht masive dhe kemi një qëndrim të subjekteve politike. Secila parti mjaft korrekte në çdo proces zgjedhor, duke marrë rezultate, qoftë heshtazi apo zëshëm, e kanë pranuar rezultatin”, ka thënë Baraliu.

Sipas tij, diaspora i ka dhënë votë të madhe Lëvizjes Vetëvendosje, ndonëse siç tha ai, kjo parti s’ka bërë punë siç ishte pritur.

“Janë bërë gabime që duhet të përmirësohen. E nëse nuk përmirësohen, në këtë vorbull të gjeopolitikës kaotike, do të kemi pasoja. Prandaj po them të kemi qeverisje të unitetit”, ka thënë ai.

Baraliu ka theksuar se Lëvizja Vetëvendosje mund ta bëjë qeverinë edhe e vetme.

“Vetëvendosje mund ta bëjë edhe pa Nismën pasi me 49 deputetë, mund të jenë 50, shto edhe 10 deputetë të komuniteteve jo serbe dhe shto edhe një deputet që mund ta marrë votën, Nenad Rashiqi, është e mundur...”, ka thënë ai, derisa shtoi se edhe ndonjë deputet mund të ndërrojë mendje.

“...Kur është në pyetje interesi nacional. S'duhet të vihet në kryq edhe Limaj...Partitë duhet të bashkëpunojnë me njëra-tjetrën”, ka shtuar Baraliu.

 Baraliu ka kërkuar që qeverisja e ardhshme të jetë e unitetit për shkak të zhvillimeve gjeopolitike në botë. Sipas tij, bota është e trazuar dhe Kosova duhet të jetë gati për cilindo skenar.

“Pa një qeverisje legjitime pas zgjedhjeve, ne nuk mund të ballafaqohemi me askënd me asnjë problem serioz”, ka thënë ai.