Arbëri

Baraliu: Serbia tregoi se s’është e denjë të jetë anëtare në KiE

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se duke dashur ta pengojë anëtarësimin e Kosovës, Serbia ka dëshmuar se nuk është e denjë të jetë anëtare në Këshillin e Evropës.

Të martën në “Interaktiv” të KTV-së, Baraliu ka thënë se Serbia të martën ka pësuar dështim diplomatik shumë të dëmshëm. 

“Serbia është në një ngushtice bermudiale sepse sot e pësoi një fiasko historike, një dështim diplomatik tepër të dëmshëm, negativ dhe poshtërues, sepse duke dashur ta pengojë dikë që asgjë më pak nuk ka standarde demokratike për të qenë anëtare në KiE, në këtë rast Kosova, ajo tregoi se vetë nuk është e denjë për të qenë anëtare aty”, ka thënë ai. 

Duke thënë se Evropa është treguar demokratike me votimin pro anëtarësimit të Kosovës në KiE, Baraliu ka thënë se në maj është vendimi kryesor, për çka nuk duhet lejuar propagandën e Serbisë që të ndikojë në këtë fazë. 

Ai ka shtuar se është e pakuptueshme dhe e pashpjegueshme nga këndvështrimi diplomatik dhe i parimeve dhe standardeve të së drejtës ndërkombëtare, dhe Konventës së Vjenës, sjellja e çuditshme e Perëndimit ndaj Serbisë. 

Derisa ka folur për Asociacionin e komunave me shumicë serbe, Baraliu ka thënë se mund të ketë marrëveshje mes ndërkombëtarëve dhe Kosovës që “disa gjëra të mos bëhen tani”.

“Kam përshtypjen se Asociacionit është kërkuar, është premtuar, por është lënë, vetë fakti se nuk është përmendur në raportin e Bakoyannisit si kusht, pasi ashtu u proklamua nga Escobari. Kemi të bëjmë me diçka tjetër, kemi të bëjmë me strategji politike dhe marrëveshje mes ndërkombëtarëve dhe Kosovës – z.Kurti – që disa gjëra të mos bëhen tani, që ta marrë edhe një mandat, pra nuk është që ka një luftë të hapur, ka zëra, ka mospajtime, por nuk do të thotë që Perëndimi nuk e ka pranuar këtë qeverisje dhe këtë kryeministër, e ka pranuar dhe bashkëpunon me të”, është shprehur ai.