Arbëri

Baraliu: Nevojitet qeverisje e unitetit

Baraliu

​Profesori universitar Mazllum Baraliu ka thënë se Kosova ka nevojë për një qeverisje të unitetit.

Në një deklaratë për KosovaPress, ai ka thënë se zgjedhjet e 9 shkurtit i kanë nxjerrë partitë në një “pozicion pa pozicion”.

Sipas tij, në seancën konstituive të ftuar për 15 prill, mund të ndodhin shumë gjëra të papritura dhe të paparashikuara.

“Ka shumë të papritura dhe të paparashikuara që mund të ndodhin. Për arsyen e parë, sepse rezultati i zgjedhjeve të fundit në Kosovë ka orientuar pozitën dhe opozitën në një pozicion pa pozicion, nëse shprehemi në fjalorin e shahut, ku në mënyrë milimetrike ka matur dhe ka rezultuar meritën që ato kanë pasur, gjegjësisht mosmeritën që kanë pasur qoftë pozita apo opozita… Në situatën aktuale ka shumë të papritura në këtë seancë dhe ka shumë mundësi, të cilat nuk i parashikon askush. Ajo që duhet të ndodhë, nëse më pyetni, është në interes të qytetarit të Kosovës - sot është që subjektet politike pozitë-opozitë, bashkë ato që kanë fituar, pozita në parlament është dashur dhe ka kohë ende që të bashkohen dhe të bëjnë një qeverisje me bazë të gjer një qeverisje të unitetit”, ka thënë ai.

Për refuzimin e partive opozitare për koalicion me partinë fituese – Lëvizjen Vetëvendosje të kryeministrit Albin Kurti, Baraliu ka thënë se ka shumë hatërmbetje për deklaratat e Kurtit referuar partive tjera pas fitores më 9 shkurt.

“Ka shumë antagonizma, ka shumë hatër mbetje ka shumë inate, ka shumë synime dhe qëllime politike për pushtet dhe jo vetëm, për një fjalë goje madje. Prandaj, ne fatkeqësisht po dëshmojmë edhe kësaj radhe, dhe kjo është poenta mbase, do të duhej të ishte poenta pika referuese shtyllë-mbajtëse e kësaj bisede dhe veprimit që do të duhej të bënin subjektet politike. Ne ende nuk jemi të vetëdijshëm sa duhet ose nuk jemi pjekur sa duhet, nuk jemi emancipuar sa duhet demokratisht dhe politikisht, për të kuptuar momentin e tanishëm, rëndësinë e momentit, konstalacionet gjeopolitike që po ndodhin dhe rreziqet që mund t’i kemi”, ka deklaruar ai.

Për sa i përket çështjes nëse nuk arrin partia fituese e zgjedhjeve që të sigurojë shumicën, Baraliu ka thënë se vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë - partia që arrin 61 vota e formon qeverinë dhe nuk ka rëndësi nëse kjo është partia e dytë apo e tretë.

“Vendimi i Gjykatës Kushtetuese është i qartë dhe interpretuar, dhe ashtu do të duhej të ishte. Do ta kuptojnë këto parti që kanë mundësi që pas partisë së parë, e cila mund të dështojë në dhjetë ditë pas mandatimit, atëherë që mund t’i bëjë 61 vota plus, a është e dyta a po e treta, nuk ka rëndësi - mund t’ia ofrojë presidentes dhe presidentja e para që e mandaton do të thotë pas kësaj mund të bëjë qeverinë”, ka thënë ai.

Seanca konstituive e Kuvendit, e thirrur nga presidentja Vjosa Osmani brenda afateve ligjore, do të mbahet të martën, më 15 prill, duke filluar nga ora 10:00. Pas betimit të deputetëve pritet zgjedhja e kryetarit dhe nënkryetarëve të Kuvendit.

Kryetari dhe nënkryetari zgjidhen me shumicën e votave. Seanca konstituive, sipas rregullores së Kuvendit, përfundon me zgjedhjen e tyre. Ndërprerjet gjatë seancës konstituive nuk duhet të jenë më të gjata se 48 orë, thuhet në Nenin 12, pika 5 e rregullores së Kuvendit.

Vetëm pasi të ketë përfunduar seanca konstituive, presidenti mund të vazhdojë me obligimet e ligjore për të mandatuar partinë e parë për formimin e qeverisë së re. Megjithatë, është në diskrecionin e presidentes që të mandatojë më pas parti të tjera për të formuar qeverinë, nëse Lëvizja Vetëvendosje si parti fituese nuk merr mbështetjen e 61 deputetëve në Kuvend për qeverinë e re.

Gjykata Kushtetuese ka interpretuar se e drejta për të propozuar kryeparlamentarin i takon partisë së parë, por nuk e ka përcaktuar nëse kjo e drejtë mbetet e vlefshme nëse partia e parë nuk paraqet kandidatin e saj.

Në zgjedhjet e 9 shkurtit, Lëvizja Vetëvendosje siguroi 48 ulëse, Partia Demokratike e Kosovës siguroi 24 ulëse, ndërsa Lidhja Demokratike siguroi 20 ulëse. Koalicioni AAK-Nisma ka siguruar 8 ulëse.

Deri tash, VV-ja i ka çuar ftesë LDK-së për konsulta para seancës, por kjo parti refuzoi.

Zyrtarisht s’ka pasur diskutime të tjera, por është raportuar për takime VV-Nisma që ka tre deputetë në koalicionin me AAK-në.