"Konfront"

Baraliu: Nëse Kosova pranon këtë draft të Asociacionit, cenon shtetësinë e saj

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se nëse Kosova e pranon draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe që është propozuar nga faktori ndërkombëtar, cenon shtetësinë dhe ekzistencën e saj. 

Të enjten në “Konfront” të KTV-së, Baraliu ka thënë se Kosova nuk do të duhej të kushtëzohej me themelim të Asociacionit për anëtarësim në Këshillin e Evropës. 

“Kërkesat e reja janë edhe të pavend, edhe të paarsyeshme, edhe të papranueshme. Këshilli i Evropës është institucion i rëndësishëm për të drejtat e njeriut dhe demokracinë, por Këshilli Evropian dhe Kosova në krahasim me interesat e saj strategjike, ekzistenciale është diçka tjetër. Asociacioni në mënyrën se si është propozuar nga zotërinjtë evropianë dhe amerikanë është jo vetëm i papranueshëm, jo vetëm i padrejtë, jo vetëm karikaturë e një sistemi të një Serbie të dytë në Kosovë, kjo nuk mund të kushtëzohet e as nuk duhet të kushtëzohet në asnjë mënyrë dhe nuk duhet pranuar. Nuk është e drejtë kjo, nuk bën. Institucionet tona nuk duhet pranuar sepse është tejkaluar çdo gjë. Kosova ka humbur vazhdimisht. Nëse edhe kësaj here kushtëzohet me Asociacionin, Kosova rrezikon shtetësinë, funksionalitetin dhe ekzistencën e saj”, ka deklaruar ai. 


Pula: Duhet të alarmojmë si komb se jemi të kërcënuar nga projekti "Novorossiya"

Analisti Shqiprim Pula ka thënë se “ne do duhej të ngrehnim alarmin si komb shqiptar që jemi të rrezikuar nga ‘Novorossiya’”. 

Ai ka theksuar se këtë projekt e mbështet Serbia që tenton ta jetësojë në rajon. 

“Ky projekt Novorossiya ka aleat që e mbështesin shtrirjen e saj në këto anë dhe një prej tyre që e jetëson këtë projekt është Serbia përmes aleatëve të saj, dhe në këtë rast mund të dal edhe dikush nga Gjermania, dikush nga Franca, etj, që përmes interesave të tyre i dalin mbështetjeve proceseve të dëmshme për Kosovën”, ka thënë ai.


Sopi: Kosova do ta hartojë vetë draft-statutin e Asociacionit, marrëveshja ka vdekur

Opinionisti Agim Sopi ka thënë se duhet të pritet ndërrimi i ndërmjetësuesit që dialogu të vazhdojë. 

Ai ka theksuar se Kosova duhet ta hartojë vetë draftstatutin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, ndërsa ka shtuar se “misioni i ndërmjetësuesve dhe loja tërhiq e mos këput ka marrë fund”. 

Sopi ka shtuar se derisa Serbia insiston në vetëm nenin për Asociacionin në marrëveshje dhe nuk merr parasysh nenet e tjera, atëherë “marrëveshja është e vdekur”. 

“Duhet pritur qeveria e re evropiane, formati i ri i ndërmjetësuesve dhe riformatizimi i dialogut”. 

Ai ka folur edhe se si do të vazhdojë dialogu me një administratë të re amerikane. 

“Nëse do të rikonfirmon Bideni fitoren, procesit do ti rikthehet parimit fillestar një marrëveshje përfundimtare gjithëpërfshirëse me njohjen në qendër. Me presion të SHBA-së kjo mund të bëhet brenda tre muajve nëse SHBA ka vullnet. Nëse vjen Trumpi, do ti rikthehemi opsionit të ndarjes”, ka thënë ai.


Pula: BE-ja do të duhej ta vlerësonte Kosovën për lëshimet që ka bërë

Analisti Shqiprim Pula ka thënë se Bashkimi Evropian do duhej ta vlerësonte Kosovën për hapat që i ka ndërmarrë, duke shkuar, sipas tij, përtej mundësive.

Sipas Pulës, tani është koha që zyra e Borrellit të kërkojë me urgjencë largimin e masave ndaj Kosovës.

“Çështja është që BE-ja në drejtim të Kosovës do duhej të tregonte korrektësi, vlerësim për hapat që i ka ndërmarrë Kosova duke bërë lëshime përtej mundësive. A do ta bëjë BE-ja? Këtë nuk e dimë saktë. Edhe masat kur janë vendosur kundër Kosovës kanë qenë në shpërputhje totale me të drejtën e BE-së sepse ato masa janë instrumente të zyrës së përfaqësuesit të lartë politikës së jashtme. Ai i bën propozime BE-së. Deri më tash, BE-ja ka ndërmarrë 40 masash kundrejt subjekteve të ndryshme. Tani pa humbur kohë, zyra e Borrellit do duhej të propozonte tërheqjen e masave me urgjencë sepse i kemi zgjedhjet në Evropë. E humbim kohën”, ka thënë ai në “Konfront” të KTV-së.


Baraliu: Serbia e Lista Serbe u bindën se nuk ia dalin, andaj bojkotuan votimin

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se Beogradi zyrtar dhe Lisa Serbe janë bindur që nuk do t’ia dalin andaj e kanë bojkotuar votimin e së dielës për shkarkimin ose jo të kryetarëve të komunave veriore.

Të martën në “Konfront” të KTV-së, Baraliu ka thënë se reputacioni i të dyjave është dobësuar. 

“Në këtë fazë nuk u realizua, ka shumë faktorë por kryesorja është që Beogradi dhe Lista Serbe nuk e kanë vlerësuar se do të mund t’ia dalin, është dobësuar edhe reputacioni i tyre, por edhe shumë rrethana kanë qenë, në radhë të parë pastrimi i listës zgjedhore, pastaj vënia e një modeli më të avancuar të mbikëqyrjes së procesit të votimit përmes kamerave”, është shprehur ai.