Arbëri

Baraliu: Ndërkombëtarët po kërkojnë nga Kosova atë që s’e kërkojnë nga të tjerët

Mazllum Baraliu

Mazllum Baraliu, njohës i çështjeve juridike, ka deklaruar se shtetet perëndimore po i vendosin Kosovës kushte që vendet e tjera s’i kanë pasur.

Ai ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se kjo është padrejtësi dhe mosrespektim i parimit të barazisë.

“Nuk është në rregull, është jo vetëm e padrejtë dhe në kundërshtim me standardet dhe parimet e së drejtës ndërkombëtare dhe respektimin e parimit të barazisë. Kjo sjellje që këta si bashkësi nderkombetare në çështje të ndryshme, si është Procesi i Berlinit, vazhdimisht kërkojnë diçka të re që nuk ua kërkojnë të tjerëve. Bosnja s’ka zbatuar një nga marrëveshjet e Berlinit siç është qarkullimi i lirë i mallrave dhe njerëzve. Asaj nuk i bëhet presion, e Kosovës i bëhet”, ka deklaruar Baraliu.

Ai ka shtuar se Kosova duhet të trajtohet e barabartë me vendet e tjera, ndërsa Procesin e Berlinit e cilësoi “ofertë pozitive me imput financiar”.

“Përkundër lëkundjeve ne s’duhet ta humbasim Gjermaninë si aleate pasi ajo ka premtime serioze dhe për dallim prej vendeve të tjera, e çon procesin deri në fund...Procesi i Berlinit është e vetmja derë e mundshme dhe potencialisht, nëse nuk ndërrojnë gjërat në aspektin negativ, që shtetet e Ballkanit Perëndimor sa më parë dhe sa më shpejt të integrohen në Bashkimin Evropian”, ka thënë Baraliu.

Deklarimet e emisarit gjerman, Manuel Sarrazin se “Gjermania s’mund ta bëjë diplomacinë e Kosovës”, Baraliu i cilësoi si negative.

Sipas njohësit të çështjeve politike, Serbia po trajtohet ndryshe nga Bashkimi Evropian dhe ndaj saj nuk po bëhet presion sikur ndaj Kosovës.

“Serbia është thembra e Akilit, këtë e dinë mirë edhe Bashkimi Evropian edhe Uashingtoni. Presioni nuk është mbi Serbinë, që ka një pushtet zgjatim të fashizmit pro-Millosheviqian. Serbia është çelësi i problemit, jo Kosova”, ka shtuar ai.