Arbëri

Baraliu i quan selektive reagimet e ndërkombëtarëve për shpronësimet në veri

Mazllum Baraliu

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka thënë se partnerët ndërkombëtarë të Kosovës kanë treguar qasje selektive në reagimet ndaj institucioneve në rastin e shpronësimit të disa pronave në veri të vendit.

Në “Interaktiv” të KTV-së, të enjten Baraliu e ka quajtur të ngutshëm dhe të pavend reagimin e shteteve të QUINT-it, Bashkimit Evropian dhe OSBE-së. Ambasadat e shteteve të QUINT-it – Shtetet e Bashkuara (SHBA), Mbretëria e Bashkuar, Gjermania, Franca e Italia -Zyra e Bashkimit Evropian (BE) në Prishtinë dhe Misioni i Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) në Kosovë kanë kritikuar të enjten Qeverinë për vendimin për të finalizuar shpronësimin e mbi 100 parcelave në komunat me shumicë serbe në veri. Në kundërpërgjigje, Qeveria ka thënë se shpronësimet duhet të vlerësohen nga ligjshmëria dhe jo nga etnia.

Sipas Baraliut, “do të duhej të ketë parimësi e korrektësi kur të reagohet”. Ai ka thënë se problematike është politizimi i rasteve të caktuara në zona të caktuara të vendit.

“Ky grupacion i miqve tanë ndërkombëtarë që reagojnë edhe në herë të tjera në mënyrë joparimore e herë pas here edhe në mënyrë selektive, duhet ta ketë parasysh që çdo organ në Kosovë ka shkallshmëri, ka mundësi që në shkallë të parë të veprohet e pastaj nëse ka shkelje procedurale a materiale me procedura ankimore si të drejta legjitime që s’i mohohen askujt të veprohet e të ndikohet në prishjen e vendimeve”, ka thënë ai.

Baraliu ka shtuar se për dallim nga reagimet për veri, në raste të komunave të tjera nuk ka reagime të ndërkombëtarëve. 

Për të gjitha këto fajin ia ka vënë “mungesës së parimësisë dhe vënies në spikamë dhe në veprim të instrumenteve të selektivitetit”.

Termin e përdorur për “komuna me shumicë serbe” në reagimin e ndërkombëtarëve, Baraliu e ka cilësuar si “mosnjohje të Kushtetutës”.

Ai ka thënë se ndër vite është evidentuar se Kosova është lënë pas dore skajshmërisht nga bashkësia ndërkombëtare.

Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës i ka cilësuar “turp” të Evropës.