Arbëri

Baraliu: Disa veprime të Tiranës kanë qenë të gabuara për Kosovën

Mazllum Baraliu

Profesori i çështjeve juridike, Mazllum Baraliu, ka deklaruar se Tirana zyrtare i ka bërë disa deklarata të gabuara dhe të pavenda në raport me institucionet e Kosovës.

Ai ka thënë të enjten në “Interaktiv” të KTV-së se, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama, është përzier në çështjet e brendshme të Kosovës kur ka folur për anëtarësimin e Kosovës në nismën “Ballkani i Hapur”.

“Ajo që është dhënë në deklaratë është më e rëndësishme. Pati disa pika që meritojnë trajtim, pasi janë kruciale për të mos u përmendur. Aq më tepër, që po t’i ndërlidhim deklarimet e shumta të papërgjegjshme që kanë ardhur kah Tirana në lidhje me Kosovën dhe çështjet ballkanike”, ka deklaruar Baraliu.

Baraliu është shprehur se deklarimet e Ramës “kanë qenë të pavenda dhe të gabuara e shqetësuese”. Sipas tij, shqetësuese janë edhe deklarimet e Ramës për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë.

Deklarimet e Ramës se “Kosova duhet t’i zbatojë të gjitha kërkesat në dialog, edhe nëse Serbia s’i zbaton”, janë të dëmshme për shtetin e Kosovës.

Për raportet mes Kosovës dhe Shqipërisë, Baraliu ka shtuar se vendet duhet t’i harmonizojnë qëndrimet dhe të unifikohen.

“Tash ka nevojë të domosdoshme që në këto momente ne të dëshmohemi para të tjerëve se jemi një dhe t'i harmonizojmë qëndrimet e të mbrohemi, të prezantohemi dhe të unifikohemi bashkërisht që të na shohin si faktorë pasi shqiptarët janë faktorë. Nëse jemi të shpërndarë, të gjithë do të na marrin më lehtë dhe më pak seriozë për të komunikuar me neve për t'i zgjidhur problemet”, ka thënë ai.