Dy javë më parë, në rrugën “Dalip Alshiqi”, u vra Liridona Ademaj. Vrasja ndodhi në orët e mbrëmjes dhe në errësirë. Prejse ka ndodhur vrasja frika është shtuar tek banorët e të cilët kanë shtuar kërkesat për ndriçimin e rrugës.
“Kërkesë të menjëhershme e kemi ndriçimin, shkaku i vrasjes që ndodhi para disa javëve e Liridonës. Shqetësimi më i madh është i vajzave dhe nxënësve që shkojnë në shkollë dhe punë. Kërkesat i kemi bërë të vazhdueshme në Komunë. Na kanë thënë që nuk kanë shtylla për vendosje”, ka thënë Fehmi Pestisha, banor i lagjes.
Të njëjtin shqetësim e ka shprehur edhe banori tjetër, Avni Pestisha.
“Pas rastit që ndodhi këtu me vrasjen e Liridonës, pra siç po e shihni kjo pjesë e rrugës është e pandriçuar. Banorët po ndihen të pasigurt që të kalojnë në këtë rrugë. Unë i lus organet kompetente që të ndërmarrin masa dhe ta ndriçojnë këtë rrugë”.
Kryetari i Prishtinës, Përparim Rama, ka premtuar se edhe rruga ku ndodhi vrasja e Liridona Ademajt do të ndriçohet. Ai nuk saktësoi kohën se kur do të bëhet kjo.
“Kryeqyteti në esencë ka pasur një ngecje sa i përket ndriçimit publik në të gjitha hapësirat dhe ne tashmë i kemi kontratat e reja ku me një intensitet të shtuar, jemi duke ndriçuar të gjithë qytetin e po ashtu, edhe pikën në fjalë. Janë në vazhdimësi të ndriçimit. Nuk do të lëmë asnjë pjesë të kryeqytetit të pandriçuar”, ka deklaruar Rama.
Liridona Ademaj u vra në makinë më 29 nëntor, në një inskenim plaçkitjeje. Sipas Prokurorisë, vrasja është porositur nga bashkëshorti i saj, Naim Murseli, i cili ndodhet në paraburgim bashkë me dorasin dhe dy të tjerë.