Autobusët e “Trafikut Urban” i bien nëpër këto fshatra, por nuk ndalojnë për të marrë udhëtarët, pasi i takojnë Podujevës. Banorët po detyrohen të ecin me kilometra për të mbërritur në stacionin më të afërt ku ndalon autobusi
Tash e 10 ditë, nxënësit, por edhe banorët e fshatrave të Podujevës: Bellopojë, Tërnavë dhe Halabak kanë mbetur pa transport, pasi “Trafiku Urban” ka vendosur të mos i përfshijë në zonën që operon fshatrat që nuk janë të Prishtinës.
Autobusët e Trafikut kalojnë nëpër këto tri fshatra të Podujevës, por me vendimin e ri, nuk kanë të drejtë të ndalojnë në stacione.
Banorët ankohen se u duhet të ecin disa kilometra për të arritur në Sharban, që është fshati i fundit i Prishtinës ku shkon autobusi.
“Ky është fshati Tërnavë, Bellopojë që nuk ndalet, është fshati Halabak që nuk ndalet. Prej fshatit tim këtu ku jam e për në Lluzhan për të shkuar në Prishtinë i ka dy kilometra. Prej Tërnave i ka pesë kilometra, prej fshatit Halabak është diku shtatë kilometra për të dalë në Lluzhan. Unë nuk e di për çfarë arsye…. kur ka linja që qarkullon”, ka thënë një banor.
E një tjetër banori, Shaban Krasniqit, i duhet të ecë dy kilometra për të mbërritur në stacionin më të afërt ku ndalon autobusi.
“Prej Halabaku duhet të vijmë këtu në Sharban për të hipur në autobusë përndryshe në Halabak nuk ka stacion, as në Bellopojë e as në Tërnavë. Kështu që duhet të vijmë në Sharban për të hipur, i kam dy kilometra prej shtëpisë time të eci për të hipur në autobus për Prishtinë”, ka thënë Krasniqi.
Por, pritet që situata të ndryshojë.
Në Komunën e Podujevës kanë thënë të jenë pajtuar për një marrëveshje me Komunën e Prishtinës, për këtë çështje.
“Ne i kemi paraprirë marrëveshjes dhe tashmë jemi dakorduar, kemi bërë kërkesën. Është vetëm koha e shqyrtimit të marrëveshjes dhe takimit që Komuna e Prishtinës e ka me Ministrinë. Edhe... po besoj prej ditës së hënë kjo linjë do të jetë e pajisur me itinerarin e ri apo vendstacionet e reja ku përfshihen edhe fshatrat e Podujevës”, ka thënë Bahri Selimi, drejtor i Drejtorisë për Shërbime Publike në Komunën e Podujevës.
Edhe në Komunën e Prishtinës shprehën pritje për zgjidhje të shpejtë.
“Arsyeja pse nuk e kemi shqyrtuar kërkesën e Komunës së Podujevës, ka qenë sepse kemi dashur të kemi një paketë të zgjidhjes së kësaj problematike. Besuam që sot do t’i japim fund pas takimit që do të kishim me zëvendësministrin, mirëpo në takim me kërkesën e tyre nuk erdhi. Është shtyrë për ditën e hënë. Besoj që do të kemi një zgjidhje javën e ardhshme, do t’i japim epilog kësaj ngjarjeje”, ka deklaruar Bekim Brestovci, drejtor i Shërbimeve Publike në Prishtinë.
Banorët e tri fshatrave të Podujevës ka 35 vjet që e kanë shfrytëzuar këtë linjë të autobusit, që tash u është ndaluar.