Ankesa banorët e fshatit Stanoc i Epërm në Vushtrri kanë shprehur se janë të izoluar dhe të rrezikuar për shkak të mungesës së një nënkalimi në segmentin e rrugës magjistrale Prishtinë–Mitrovicë, e cila kalon në këtë fshat. Në këtë pjesë, në nëntë muaj, kanë ndodhur 17 aksidente, përfshirë edhe një me fatalitet
Punimet në magjistralen Prishtinë–Mitrovicë i kanë lënë banorët e fshatit Stanoc i Epërm në komunën e Vushtrrisë pa dalje në rrugë kryesore.
Banorët kanë thënë se mungesa e nënkalimit në këtë segment të rrugës përbën rrezik dhe se për këtë kanë protestuar disa herë.
Banori Skender Cakaj ka bërë të ditur se ndërtimi i nënkalimit ka qenë i planifikuar fillimisht, porse më vonë është anuluar.
“Për momentin jemi të izoluar si banorë. Unë kam dëshmi në projekt këtu dhe në kontratën e kompanisë EXTRAVATORI që e ka në kontratë është në tender edhe është në projekt nënkalimi, u anulua. Arsyetimin e dhanë mbikëqyrësit edhe Ministria thotë u anulua pa kurrfarë vendimi. Po mirë, qasja jonë, hyrja-dalja thonë pritet, çka bëjnë nuk e di”, është shprehur ai.
Një tjetër banor është ankuar se mungesa e nënkalimit është duke krijuar vështirësi, veçmas për ata banorë që udhëtojnë çdo ditë.
“Lagjen tonë e kanë shkëputur prej kyçjes në këtë magjistrale diku nja 4 kilometra. Kemi nxënës, studentë, punëtorë në KEK, Prishtinë e kahmos. Këta tash duhet të shkojnë në Maxhunaj për të shkuar në Prishtinë. Në ambulantë, edhe në ambulantë, Maxhunaj për të shkuar në Prishtinë. Distanca është diku deri 4 kilometra, prej fillimit të lagjes sonë”, ka thënë banori Hysen Cakaj.
Në Komunën e Vushtrrisë kanë thënë të ketë kërkuar zgjidhje nga niveli qendror, porse ajo nuk është bërë.
“Kemi kërkuar përmes zyrës së kryetarit një takim ta mbajmë me ministrin e Infrastrukturës. Deri tash nuk kemi përgjigje. Kur kanë qenë disa protesta që i kanë organizuar disa qytetarë, Komuna i ka përkrahur se kanë qenë të arsyeshme”, ka thënë Nexhat Merovci, zyrtar për menaxhimin e projekteve në Komunën e Vushtrrisë.
Ministria e Infrastrukturës ka në menaxhim realizimin e projektit të magjistrales. Ky institucion nuk u ka dhënë përgjigje pyetjeve përkitazi me kërkesat e banorëve.
Në segmentin e magjistrales, gjatë nëntë muajve të këtij viti ka ndodhur një aksident me fatalitet dhe 16 aksidente me lëndime të lehta.