Në përleshje fizike me Policinë e Kosovës ka eskaluar protesta e banorëve të fshatit Soponicë të Kaçanikut, që po kundërshtojnë ndërtimin e hidrocentralit në lumin Lepenc.
Sipas protestuesve, ndërtimi i hidrocentralit do të shkaktojë degradim të lumit, derisa protesta ka nisur që nga e hëna. Ibrahim Dolloshi, përfaqësues i protestuesve, ka deklaruar për KOHËN se duan të mbrojnë lumin Lepenc.
“Kemi menduar para një viti që ka përfunduar ky proces, punëkryesi doli të punojë, ne pritëm një javë institucionet që merren me këtë lëmi. Ata nuk përgjigjën, lëndën e kemi në gjykatë, tash e tri vjet po merremi me gjykata. Ata nuk po bëjnë asgjë, ne jemi lodhur. Në orët e hershme sot ka filluar përsëri makineria, sot dolëm e ndaluam”, ka deklaruar ai.
Dolloshi ka theksuar se protesta nuk do të ndalet deri sa të ndërpriten punimet.
“Nuk do ta lëshojmë deri në momentin e fundit, s’do të lejojmë për të hyrë në tube dhe për të mbetur pa lumë. Po presim në bazë të vendimeve që i marrin Ministria e Komuna. Debat është mbajtur por pa pjesëmarrjen e fshatrave Sopanicë dhe Dogane që janë afër këtij lumi”, u shpreh ai.
Në një moment qytetarët kanë provuar ta ndërpresin punën e ekskavatorëve. Ka ndërhyrë Policia dhe gjithçka ka vazhduar me përleshje fizike.
Policia e Kosovës ka folur për protestën dhe përleshjen.
“Policët e stacionit të Kaçanikut kanë dalë vendin e ngjarjes dhe kanë monitoruar situatën. Ndërsa, gjatë zhvillimit të protestës, disa nga protestuesit kanë tentuar të sulmojnë drejtuesin e ekskavatorit të kompanisë ndërtuese, mirëpo ka intervenuar policia”, i ka thënë KOHËS, zëdhënësi i Policisë për rajonin e Ferizajt, Kanun Veseli.
Çfarë thanë banorët [VIDEO]
Pas përleshjes fizike, punimet janë ndalur nga kompania.
