Arbëri

Banorët e Grashticës kërkojnë kënd të lojërave për fëmijët

Nxënësit e shkollës “Teuta” në Grashticë, oborrin e shkollës e shfrytëzojnë për të luajtur futboll. Ky është i vetmi vend ku fëmijët e këtij fshati në përgjithësi kalojnë kohën e lirë edhe pas mësimit.

Për këtë arsye, banorët po kërkojnë që në hapësirën e oborrit të shkollës të vendoset edhe një kënd i lojërave.

Mungesa e hapësirave rekreative në fshat, ka bërë që oborri i shkollës të shihet si vendi më i përshtatshëm për këtë gjë.

“Është e nevojshme për shkak se ka efekte pozitive, sepse fëmijët dhe pas procesit mësimor vijnë këtu dhe argëtohen. Do të ishte e domosdoshme duke e parë se fëmijët pas orëve mësimore qëndrojnë në shtëpi e kjo është edhe kërkesë e fshatit që të bëhet ajo në oborrin e shkollës. Është viti i 13-të që punoj në zonat e Gollakut dhe nuk ka kënde të lodrave në këto fshatra. Do të ishte jashtëzakonisht e domosdoshme dhe besoj që do të kishte efekt te krejt komuniteti”, ka thënë Fatmir Zhdrella, drejtor i shkollës “Teuta” në Grashticë.

Kërkesë për këtë kanë bërë banorët dhe vetë drejtori i shkollës.

“Fillimisht i është drejtuar fshati e pastaj ne që po mundohemi që ta shtyjmë përpara këtë kërkesë. Nuk është vetëm këndi i lojërave është edhe ndriçimi i rrugës që do të kishte pasur një efekt shumë të nevojshme. Shkolla është vetëm paradite por ne kemi instaluar reflektorët në fushën e futbollit që fshatarët ta shfrytëzojnë këtë gjatë mbrëmjeve. Ka lind nevoja edhe për këndin e lojërave”, ka thënë Zhdrella.

Ismajl Krasniqi, banor i Grashticës, ka thënë se e kanë shumë të nevojshme një kënd të lojërave për fëmijë.

“Kërkesën e kemi bërë shumë moti. Kanë thënë se do të bëjnë zgjidhje, por nuk kanë ardhur askush as ta shikojë vendin. Është një kënd i përshtatshëm këtu, ka nxënës mjaftueshëm, edhe salla e edukatës fizike mungon por ka edhe nga fshati që i sjellin. Si për shembull unë që e kam vajzën me aftësi të kufizuar ajo nuk mund të shkojë nëpër parqe tjera. Këtu kishim pasur dëshirë që komuna e Prishtinës të vijë dhe të na bëjë një kënd të lojërave”, ka thënë Krasniqi.

Përveç këndit të lojërave, në këtë fshat Krasniqi thotë se iu mungojnë edhe shumë gjëra të tjera.

“Nuk është aq e shtrenjtë ajo punë sepse këtu po nevojitet, fëmijëve u takon ta kenë një kënd të lojërave. Kemi edhe mungesa tjera. Ndriçim s’kemi në 2.5 kilometra. As kanalizimi e ujësjellësi nuk është dhe për këtë paguaj edhe rrymë më shumë pasi e kam hidroforin”, ka shtuar ai.

Drejtoresha e parqeve, Donika Çetta, ka thënë se vendosja e këndeve të lojërave brenda objekteve shkollore nuk është kompetencë e tyre.

“Rregullimi i këndeve të lojërave brenda objekteve shkollore nuk është kompetencë e drejtorisë sonë, por e Drejtorisë së Arsimit. Në rast se do të kemi ndonjë donacion edhe mund ta rishikojmë mundësinë, por, për momentin kemi plane të tjera sa i përket këndeve të lojërave”, ka thënë ajo.

KOHA i ka dërguar pyetje Komunës së Prishtinës, mirëpo nuk ka kthyer ende përgjigje.