Arbëri

Banorët e Gllamnikut vazhdojnë me protesta

Banorët e fshatit Gllamnik sërish janë mbledhur për protestë të dielën, me kërkesën për ndërtimin e rrethrrotullimit për të lidhur fshatin me magjistralen Prishtinë-Podujevë. Kanë paralajmëruar vazhdim të protestës e si kërkesë patën një takim me ministrin e Infrastrukturës

Për herë të tretë qytetarët e fshatit Gllamnik të Podujevës kanë protestuar të dielën në kryqëzimin e rrugës së fshatit të tyre duke kërkuar që në magjistralen Prishtinë-Podujevë të ndërtohet një rrethrrotullim.

Banorët kërkuan takim me ministrin dhe zëvendësministrin e Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës.

“Kërkojmë edhe nga ministri dhe zëvendësministri i Infrastrukturës, le të del në vendin e ngjarjes le të bisedon me masën e gjerë qytetare dhe me të vërtetë le ta shohin çka po kërkojmë”, ka thënë Osman Bahtiri, qytetar.

Të tjerë thanë se në projekt fillimisht ka qenë i paraparë ndërtimi i rreth-rrotullimit, e për mosrealizimin e tij hodhën edhe dyshime.

“Jemi shumë të rrezikuar nëse nuk bëhet ky rreth. Qysh moti ka qenë në plan-program, ka qenë në projekt. Nuk e di sa çka është bë tash, interesi po ndikon dhe po i largojnë, për çfarë arsye nuk e di”, është shprehur Shefqet Musa, qytetar.

“Ky rreth ka qenë i paraparë para 13 vjetëve. Por kush ka qenë më i fortë e ka skajuar janë munduar të çojnë tjetër kund. Kanë dashur ta ndërtojnë te shkolla, por aty nuk bënë sepse rrezikohen nxënësit. Ne do i vazhdojmë protestat”, ka shtuar qytetari tjetër Ylber Hasani.

Besim Islami, banor i Gllamnikut, paralajmëroi vazhdimin e protestave. 

“Do protestojmë deri të ndërtohet rrethi ose do e lëshoj të gjithë fshatin dhe po ikim dikush për Podujevë, dikush për Prishtinë, le të vjen ministri le të rrinë këtu. Nuk kemi tjetër zgjidhje”, ka thënë ai. 

Protestë në të njëjtin lokacion banorë të Gllamnikut mbajtën edhe të dielën që shkoi. Sipas tyre rrethrrotullimi do të lehtësonte qasjen në magjistrale.

Magjistralja Prishtinë-Podujevë është në ndërtim e sipër e kostoja e saj është paraparë të jetë 38 milionë euro.