Banorë të disa fshatrave të Ferizajt ankohen për mungesë të energjisë elektrike e po ashtu edhe për tension të ulët kur ka furnizim. E në një fshat të Vitisë thonë se reduktimet gjatë një 24-orëshi shkojnë deri në 17 orë. Nga KEDS-i kanë mohuar se ka probleme të tilla
Ali Hyseni, pronar i një biznesi ushqimor, është në hall kur nuk ka furnizim me energji elektrike, e njëjtë vuan edhe kur ka rrymë.
Sipas tij, në kohën sa fshati i tij, Neredime e Epërme i Ferizajt, ka energji, ajo është me tension tejet të ulët dhe paraqet rrezik për djegie të pajisjeve.
“Qe ku i kam kantat, katër kanta për çdo ditë i mbushi. Ka 100 euro në ditë i marr naftë. Se edhe kur ka rrymë unë e kalli gjeneratorin. Se nuk e çon. Në 100 bie tensioni i rrymës. Shumë është katastrofë”, ka thënë Hyseni.
Pos Neredimes së Epërme, problem me energjinë elektrike kanë edhe fshatrat e tjera të Ferizajt, si Neredime e Ulët, Balaj, Manastirc dhe Jezerc. Sipas banorëve, këtë problem e kanë nga paslufta.
Hyseni ka thënë se nuk ka lënë derë pa trokitur për të kërkuar zgjidhje.
“Jam kanë te kryetari i Komunës disa herë, na ka dhanë fjalë të mira dhe shumë na ka premtu. Disa herë jena kanë me bashkëfshatarë, jena kanë te drejtori i KEDS-it. Po, po, po…… nuk ka kurgjo”, ka thënë ai.
Nga Komuna e Ferizajt përgjigje nuk kanë kthyer as në pyetjet e KOHËS.
E problem me energjinë elektrike kanë edhe banorët e fshatit Kabash të Vitisë. Sipas banorëve, gjatë një 24-orëshi më shumë nuk ka rrymë se që ka.
“Normal që shtyllat janë të vjetruara, qe 17 orë s’kemi pas rrymë javën e kaluar. I ka ra njerit lartpërçuesi përmbi shtëpi, që u kanë në gjendje me ju kallë shtëpia. Me anëtarë të familjes me krejt ka dalë atë natë….”, ka thënë banori i fshatit kabash, Komuna e Vitisë, Esat Kamberi.
Basri Aliu, drejtor i Shërbimeve Publike dhe Emergjencës në Komunën e Vitisë, u shpreh se kërkesat drejtuar KEDS-it për rregullim të problemit në Kabash kanë hasur në vesh të shurdhër.
E zëdhënësi i KEDS-it, Lulzim Krasniqi, mohoi se në këto fshatra të Ferizajt e të Vitisë ka reduktime.
“Në këto zona ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike për shkak të stuhisë me erëra, shi e borë që e kapluan vendin tonë, ku edhe janë shkaktuar prishje në rrjetin elektrik, për t’u eliminuar me një afat shumë optimal, porse në asnjë rrethanë këto zona nuk kanë pasur reduktime”, ka thënë Krasniqi.
Për problemin me energjinë elektrike, banorët e disa fshatrave të Ferizajt të hënën e shkuar protestuan para zyrave të KEDS-it në këtë qytet./Florinda Abazi