Banorët e fshatit Bibaj në Ferizaj kanë protestuar të shtunën, në shenjë pakënaqësie për reduktimet e energjisë elektrike që i kanë prekur ditëve të fundit.
Banorët kanë paralajmëruar se do të protestojnë sërish të hënën përpara ndërtesës së KEDS-it në qendër të Ferizajt, në rast të mosstabilizimit të gjendjes me furnizim me energji elektrike.
“Unë thjesht mbrëmë vura re se disa mërgimtarë, diku rreth 30, morën rrugën e mërgimit duke e lënë Kosovën të nervozuar dhe kjo ishte arsyeja ime pse e mora këtë vendim… I tërë Ferizaj qe tri ditë është në terr dhe shpresojmë që kjo do jetë një nismë që mund të ketë që të hënën në ora 11:00 para KEDS ta kemi të njëjtën protestë”, ka thënë një prej protestuesve.
Ismet Pira, njëri nga protestuesit e sotëm, ka thënë se ka ardhur nga Amerika për pushime në vendlindje, por po detyrohet të kthehet përsëri për shkak të mungesës së energjisë elektrike.
“Jetoj në Amerikë, kam ardhur me shumë vullnet, e me thënë të drejtën jam shumë i zhgënjyer me rrymë, është diçka jonormale e po më duhet të kthehem para kohe. Është katastrofë. Gjatë tërë kohës nuk ka pasur rrymë, nuk kemi mundur as të pastrohemi, për këtë arsye po kthehem”, ka deklaruar Pira.
Ndërsa Agron Aliu ka thënë se në mungesë të furnizimit me energji elektrike është detyruar t’i çojë punëtorët në pushim.
“E vështirë është shumë, sepse e kam një biznes, merrem me prodhimin e mobilieve dhe prej të martës unë i kam punëtorët në pushim. Është shumë vështirë, nuk e kemi arritur qëllimin për të prodhuar mobilie”, ka thënë ai.
Njëri ndër organizatorët Ejup Idrizi ka treguar për problemet e bizneseve si rezultat i mungesës së energjisë elektrike.
“Na ka shkaktuar dëme familjare, në biznese. Një biznes... treguan se 600 euro i ka pasur harxhime në derivate. Me të vërtetë është mëkat i madh që në shekullin 21 jemi pa energji elektrike. Kemi dy familje që kanë ardhur para dy dite dhe dje janë kthyer. Është shumë keq, kjo nuk është politike, kjo është çështje familjare e biznesore, kjo është arsyeja e kësaj proteste. Jemi kthyer në shekullin e kaluar kur i kemi larguar qirinjtë e llambat tash është shumë e vështirë me jetuar pa energji elektrike pasi që është dimër”, ka thënë ai.
Protesta e sotme e banorëve të fshatit Bibaj ka përfunduar e qetë dhe pa incidente.
Reduktimet e energjisë elektrike pritet të vazhdojnë edhe në ditët në vijim. Drejtori i Operator Sistemit, Transmisionit dhe Tregut (KOSTT), një ditë më parë nxiti reagime kur e fajësoi “zhvillimin ekonomik” si fajtor për mbingarkesën në rrjet.
Gjatë javës në shumë komuna ka pasur ndërprerje të energjisë elektrike. Pas kësaj, janë organizuar disa protesta. Një të tillë e bënë të premten edhe banorët e fshatit Bardhosh të Komunës së Prishtinës.