Arbëri

Banorët e banesave sociale në Plemetin, të pakënaqur me investimet

Pakënaqësi me punët e nisura në dy objektet e banimit social në Plemetin të Obiliqit kanë shprehur banorët e dy ndërtesave kolektive. Fondi për Efiçiencë të Energjisë ka filluar rinovimin e godinave, mirëpo pas problemeve me rrjedhjen e ujit, punimet janë ndërprerë. Në Fond, premtojnë zgjidhje të problemit.

Projekti i Fondit të Kosovës për Efiçiencë të Energjisë për renovimin e dy ndërtesave të banimit kolektiv në Plemetin të Obiliqit sipas banorëve atje, nuk ka bërë nde zgjidhje për problemet që i ka objekti.

Avni Berisha, banor i Plemetinit thotë se çështja me të cilën duhen marrë institucionet janë rrjedhjet e ujit në objekt.

“E kanë nisur këtë projekt, por të të them të drejtën, me këtë projekt nuk jemi të kënaqur. Së pari duhet të rregullohet uji pasi kemi telashe me ujë, kemi telashe me rrymë, mandej për ngjyrosje. Këta po e vendosin fasadën e uji po del prapë. Çfarë pune kanë bërë, vetëm shkel e shko”, ka deklaruar ai.

Të njëjtin problem e thekson edhe banori tjetër i këtij objekti, Osman Kovaçi.

“Problem është shumë, beso që lart nëpër banesa gjithçka po pik. Këtu të ta them të drejtën, jetesë nuk ka”, u shpreh Kovaçi.

Fondi për Efiçiencë të Energjisë këtë projekt e ka nisur për izolim termik të mureve, izolim termik të çatisë, zëvendësim të dritareve, instalim të klimave efiçiente, dritat e reja LED, e sistem kundër zjarrit.

Mirëpo pas fillimit të punëve në korridoret e brendshme, në një përgjigje të FKEE-së për KOHËN, thuhet se janë ndërprerë punimet.

“Aktivitetet e parapara për periudhën dimërore, kanë përfshirë trajtimin e brendshëm të ndërtesës, por i cili aktivitet është pezulluar si rezultat i fillimit të rrjedhjeve të ujit nga sistemi i brendshëm i ujësjellësit”, ka njoftuar Fondi.

Por në FKEE, shtojnë se i kanë gjetur mjetet edhe për të rinovuar edhe sistemin e ujësjellësit.

“Tani kemi zgjidhjen teknike për eliminimin e rrjedhjeve të ujit në ndërtesë, e cila do të zbatohet paraprakisht për të mundësuar zbatimin e projektit në fjalë, sipas kontratës”, thuhet në njoftim.

Në dy objektet sociale të banimit kolektiv në Plemetin, banorët i takojnë komuniteteve rom dhe ashkali.