Në bodrume kanë vendosur rezervuar të ujit. Banorët e kompleksit banesor “Veranda” në lagjen “Arbëria”, përmes këtij sistemi furnizohen me ujë nëpër banesat e tyre, pasi shtypja e ujit është e ulët.
Por këta rezervuar tani kanë mbetur të zbrazët, pasi ka 48 orë që nuk ka fare prurje të ujit nga Kompania Rajonale “Ujësjellësi”.
E me një problem të tillë, ata kanë thënë se janë duke u përballur për rreth 8 vjet.
“Problemin e kemi që 7-8 vjet që kemi reduktime, pasi jemi në pikën më të lartë në këtë pjesë dhe shtypja e ujit nuk vije te ne. Ne i kemi rezervarët, por nuk arrin shtypja që të mbushë as rezervarët për nevojat e qytetarëve që i kanë këtu. Disa herë kemi thirrur punëtorët të cilët kanë thënë se problemi është këtu, por shtypje nuk ka prej ujësjellësit. Këtu ne po heqim se çdo banor po ka nevoja për ujë”, ka thënë Amir Mehmeti, banor i “Arbërisë”.
Sipas banorëve, edhe kur ka prurje të ujit, shtypja është aq e vogël sa rezervuarët mbushen vetëm natën. Porse ky ujë i rezervuar nuk mjafton për gjatë tërë ditës.
“Nëse vjen pak natën shtypja, këta rezervarët mbushen, në mëngjes harxhohen nga nevojat e banorëve 11 të ditës harxhohet e pastaj deri në mesnatë nuk mbushet më. Pra këtu gjatë ditës nuk ka hiq. Është drejtpërdrejt nga ujësjellësi, nuk është i lidhur me pompë dhe e shihni nuk rrjedhë hiq. Sidomos gjatë verës e kemi këtë problem e tash po ndodh edhe gjatë stinës së dimrit”, ka thënë tutje Mehmeti.
Banori Visar Bytyqi ka thënë se përkundër thirrjes së kësaj kompanie, ata nuk po bëjnë zgjidhje.
“Që 2 ditë e 2 net fare ujë. Aktualisht nuk ka pra. E thërrasim ujësjellësin porse ata nuk kanë bërë asnjë zgjidhje. Kemi fëmijë, ka të moshuar, ka ordinanca e krejt janë pa furnizim. Me parim i mbushim rezervarët i cili është i papijshëm, por i përdorim vetëm për nevoja tjera. Por edhe ata harxhohen, ata na mbajnë për disa orë pastaj nëse nuk ka prurje prej ujësjellësit po harxhohen edhe ata”, ka deklaruar Bytyqi.
Por nga kompania rajonale e “Ujësjellësit” kanë thënë se furnizimi me ujë nga ana e tyre nuk është duke munguar.
Sipas zëdhënëses së kësaj kompanie, Arjeta Mjeku, ata dyshojnë se problemi i këtyre banorëve është pasi kyçja e këtij kompleksi në rrjetin e ujësjellësit nuk është bërë siç duhet.
“Pjesa rreth tyre kanë ujë të pijshëm edhe këta kanë ujë të pijshëm, por jo si pjesa tjetër. Ne i kemi dërguar dy autobot ne kemi dërguar edhe sot edhe nesër një ekiuip që të gropojnë dhe të shohin se si është bërë kyçja në ujësjellës nga investitori dhe të shohim nëse gypi i vendosur a i plotëson nevojat për një kompleks kaq të madh banesor. Gjithçka do të jetë e qartë se pse ata po kanë më shumë probleme se ndërtesat e tjera”, ka thënë Mjeku.
Problemi me furnizimin me ujë të pijshëm sidomos gjatë verës është shumë i shprehur, sidomos te lagjet që janë në pikat më të larta të Prishtinës.