Komuna e Prishtinës ka nisur punime gjithandej Prishtinës. Punimet në rrjetin nëntokësor të kanalizimit dhe ujësjellësit janë duke u bërë edhe në qendër, më konkretisht në rrugën “Sylejman Vokshi”, prapa sheshit “Zahir Pajaziti”.
Por sipas banorëve, punimet po zvarriten.
Megjithëse ka përfunduar infrastruktura nëntokësore, pjesa mbi nuk është kthyer në gjendjen e mëparshme e as nuk dinë nëse ndonjë projekt i ri do të zhvillohet aty.
Në këtë mënyrë balta për ta e për shumë qytetarë që e frekuentojnë këtë pjesë po paraqet problem.
“Ky problem është shumë i gjatë. Gjithmonë kanë qitë ujë prej gypave. Jemi ankuar dhe nuk e di se si kanë arritur të bindin ujësjellësin të gropojë këtë pjesë. Komuna ia ka ndalu punët. Pas 3-4 jave kanë ardhur tjerë operatorë privatë të Komunës. Qe si e kanë lënë pusetën këtu, si të mos jetë e përfunduar. Është bërë tmerr”, ka thënë Ferdeze Sheremeti.
Milot Baftiu është ankuar se nuk kanë njohuri sepse nuk janë informuar nëse do të kthehet gjendja e mëparshme apo do të ndryshojë struktura mbitokësore.
“Problemet tona kanë filluar që nga nëntori për një kanalizim prej nëntorit që ka filluar komuna që ta rregullojë. Siç po shihet kanë filluar për herë të dytë punimet. Parking më nuk kemi këtu, s’kemi ku t’i lëmë makinat. Në të gjitha anët është baltë, shkallët këtu i kanë heq dhe nuk kemi informacione se çka është duke u bë apo si është projekti”, ka thënë ai.
Drejtori i ri për Investime Kapitale, Sokol Havolli ka deklaruar se ata janë duke e shtyrë përpara një projekt që është propozuar nga disa banorë të kësaj pjese të Qendrës së Prishtinës. Por përderisa punimet nëntokësore kanë përfunduar, projekti për këtë pjesë të Qendrës së Prishtinës është ende duke u shqyrtuar nëpër drejtoritë e komunës.
“Nuk është që i kam informatat e plota. Kanë pasur një ndërhyrje që kanë përfunduar çka ka pasur problem me kanalizimet. Ne e kemi një propozim prej banorëve që e kanë përcjellë te ne për ndërhyrje sipas kërkesës së tyre. Atë projekt e kam marrë sot prej drejtorive përkatëse, kështu që pasi e kam marrë, do të kërkojmë lejen adekuate, pastaj do të dalim dhe të shohim kërkesat e banorëve prej së afërmi”, ka thënë ai.
Deri në implementimin e projektit, gjendja në këtë rrugë do të mbetet kështu.
“Nuk kthehet në gjendjen e mëparshme deri të implementohet projekti i ri. Banorët e kanë kërkesën të shpërfaqur përmes projektit që e kanë dorëzuar. Projekti e eliminon baltën dhe do të trajtohet në atë mënyrë që do të jetë në optikën e lagjes dhe nuk mund të bëjmë diçka jashtë formatit”, ka thënë tutje Havolli.
Punime që po hasin në kundërshtim të banorëve brenda Qendrës së Prishtinës janë duke u zhvilluar edhe në rrugën “Rexhep Luci”.