Arbëri

Banorët ankohen për mungesë të mirëmbajtjes së ashensorit nga i cili u lënduan disa persona

Gjashtë persona janë lënduar në Fushë-Kosovë si pasojë e prishjes së një ashensori në një ndërtesë banimi. Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare thanë se të lënduarit kanë pasur lëndime të lehta. E, banorët e ndërtesës thanë se problemet me ashensorin i kanë të kahershme. Kritikuan mungesën e mirëmbajtjes së tyre.

Disa banorë në Fushë-Kosovë të shtunën në mbrëmje përfunduan në tretman mjekësor, si pasojë e prishjes së një ashensori.

Sipas banorëve në lagjen “Eliza” në Fushë-Kosovë, gjashtë mysafirë të tyre kanë rënë nga kati i dytë në bodrum, pasi i lëshoi ashensori i ndërtesës.

Në Qendrën Kryesore të Mjekësisë Familjare në Fushë-Kosovë thanë se të lënduarit kanë pasur lëndime të lehta.

Ata thanë se pas tretmanit mjekësor të lënduarit janë liruar për në shtëpi.

Jakup Demaku, banor në këtë ndërtesë, tha se problemet me lift i kanë të kahershme.

“Problemi është moti nuk është vetëm tash, kryesorja para do ditëve ia kanë dhënë një kompanie tjetër, e kanë pasur me rregullu dhe qe tash çka ndodhi… Sa herë ka pasur prishje është dashtë me shku me i thirr, ka një javë nuk ardhshin me e këqyr… gjashtë kanë qenë që janë lënduar, e ashensori ka kapacitet të mbajë tetë persona”, ka thënë Demaku.

Një banore prapa kamerës, e cila ka katër vjet që jeton në këtë ndërtesë tha se ashensori i cili ka rënë të shtunën nuk ka funksionuar për kohë të gjatë.

Sipas saj, para një jave është rregulluar, pasi me muaj kanë kërkuar nga kompania përgjegjëse që të intervenojë në funksionalizimin e saj. 

Por një javë pasi u rregullua, i njëjti ka rënë duke u shkaktuar lëndime disa personave.

KOHA ka kontaktuar kompaninë “Mjeshtri”, por ata nuk ishin të qasshëm në telefon gjatë ditës së diel.

Në Polici nuk dhanë detaje për incidentin dhe nuk treguan nëse kanë hapur hetim për rastin.