Arbëri

Banorë të Muzeqinës në Shtime ankohen për rrugën e pakalueshme

Në Muzeqinë të Shtimës, rruga që lidh familjet Demiri me pjesën tjetër të fshatit bëhet e pakalueshme sa herë që ka të reshura të shiut dhe të borës. Banorët ankohen se për pasojë, përveç që u pamundësohet lëvizja përtej fshatit, shpesh rrezikohen edhe nga përmbytjet. E në Komunë, ku janë ankuar prej më se tre vjetësh, premtuan se problemi do të zgjidhet porsa operatorët ekonomikë ta nisin punën pas pushimeve.

Rrugë që çon deri te oborri i dy shtëpive të familjes Demiri në fshatin Muzeqinë e Shtimës, bëhet e pakalueshme sa herë që ka të reshura shiu e bore.

Banorët ankohen se shkaku i problemit që, siç thonë, i përcjell që prej pesë vjetësh, shpesh u është pamundësuar dalja jashtë fshatit dhe janë përballur edhe me rrezikun nga përmbytja e shtëpive.

E banorja Kimete Berisha-Demiri ka thënë se gjendja në rrugë ka ndikuar që fëmijët të cilët duhet të shkojnë në shkollë apo edhe të sëmurët të cilët duhen dërguar në spital, të mbesin të bllokuar.

“Rruga qysh pe shihni edhe ju, është e pakalueshme. Dy fëmijë i kam në shkollë. Por fëmija janë pa shkollë. 83 mungesa, djali edhe çika shkaku i rrugës i kanë…. plus edhe një kunat, ai është i shtrirë, është i sëmurë. Qysh pe shihni edhe vetë, kjo rrugë nuk ki kah me lëvizë për me ec…. Me shku as te doktori e as në shkollë”, ka thënë Berisha-Demiri.

Ajo ka thënë se për gjendjen e rrugës ka tre vjet që ka bërë ankesa të vazhdueshme në Komunën e Shtimes, porse përveç premtimeve, zgjidhje nuk është bërë.

“ Unë kam ba apel në komunë boll. Tash është….. tu kanë komuna me pas këtë përgjegjësi është marre me bo apel unë për popullin se kush ka mundësi me ma ndreq këtë rrugë. Mu bo kjo rrugë e tejkalueshme”, ka thënë tutje ajo.

Të kontaktuar nga KOHA të enjten, në Drejtorinë për Planifikim Urban, Kadastër, Gjeodezi dhe Pronësi në Komunën e Shtimes kanë bërë zotimin se rruga do të rregullohet porsa operatorët ekonomikë të kontraktuar, t’i përfundojnë pushimet.

“Për momentin të gjithë operatorët ekonomikë janë në pushime. Si të fillojnë punën ajo rrugë do të rregullohet”, ka thënë drejtori Grejtalb Emini.

Si pasojë e mosrregullimit të rrugës, banorët janë ankuar se ndër vite janë përballur edhe me sasi të madhe lagështie përbrenda shtëpive, për çka edhe kanë thënë se janë detyruar që orenditë t’i nxjerrin në ambient të hapur për t’u tharë.