Kur janë bërë 26 vjet pas Masakrës së Krushës, banorë të këtij fshati të Rahovecit e kanë të freskët ende dhembjen për 243 të vrarët më 25, 26 e 27 mars të 1999-s. Teksa e kujton ngjarjen, dëshmitari Muharrem Hoti tregon se si pas masakrës i ka varrosur me duart e tij viktimat që i ka gjetur. Pengun më të madh thotë se e ka për të pagjeturit, teksa shpreh vërejtjen se as 26 vjet pas, asnjë dëshmitari nuk i është marrë dëshmia. E numri i tyre thotë se po tkurret nga dita në ditë
Safet Krasniqi nga Krusha e Madhe thotë se ende e ndien të freskët erën e gjakut të 243 civilëve të vrarë shqiptarë gjatë masakrës, që 26 vjet më parë e kryen në këtë fshat forcat serbe.
Në ngjarjen e 25, 26 e 27 marsit të 1999-s, atij iu vranë 16 anëtarë të familjes, 11 prej të cilëve nuk janë gjetur as sot e kësaj dite.
Megjithëqë humbi dajë, familjarë të tjerë e shokë, ai thotë se dhembjen më të madhe e ndien për nënat të cilave iu vranë të bijtë e që trupat nuk ua gjetën kurrë.
“Me të 24 e 25 ata njerëz kanë qenë të gjallë, të gjithë. E pas 25, me 26 e 27 janë vrarë se nuk kanë pasur asnjë sëmundje. Po janë vrarë me plumba, granata, me snajper, janë vrarë edhe nga afër kur janë kapur. Po më dhimbsen ato nëna që nuk i kanë ata djem, që nuk i kanë anëtarët e familjes e disa që nuk gjenden hiç”, thotë Krasniqi.
E dëshmitari Muharrem Hoti tregon se pas masakrës e ka varrosur me duart e tij secilën viktimë që ka gjetur, përfshirë të vëllain, djemtë e axhës e edhe shokët. E dhembjen për krejt që i përjetoi thotë se e ndien me të njëjtin intensitet sikur atëherë.
“U bënë 26 vjet, po akoma i kemi të njëjtat emocione, dhimbjen e njëjtë për 242 persona që janë vrarë këtu në Krushë të Madhe. Në Krushë të Madhe ka shumë persona që e kanë përjetuar dhe e kanë parë ngjarjen, po fatkeqësisht disa dëshmitarë na kanë vdekur, po edhe 200-300 janë të gjallë”, ka thënë Hoti.
Ai thotë se për të gjithë banorët e Krushës pengu më i madh mbeten 64 të pagjeturit e për të cilët tregon se është ndarë nga një copë toke për varrim.
“Pengu më i madh i banorëve në Krushën e Madhe janë të pagjeturit, pra të zhdukur që janë. Pengu më i madh është i tyre, i nënave të tyre që nuk e dinë se ku e kanë varrin e fëmijëve të vet e problemi më i madh është tek ta”, thotë Hoti.
Banorë të fshatit shprehin vërejtjen se edhe 26 vjet pas masakrës asnjë dëshmitari nuk i është marrë deklaratë mbi ngjarje, tek theksojnë se numri i atyre që mund të tregojë se çfarë ndodhi në Krushë po tkurret nga dita në ditë.
Për krimet në Krushë nuk është dënuar asnjë person. E kjo masakër ka qenë pjesë e aktakuzës për krime lufte ndaj Slobodan Milosheviqit dhe disa udhëheqëseve të tjerë politikë e ushtarakë të Serbisë.