Banorët e disa fshatrave të Lipjanit janë shprehur kundër ndërtimit të deponisë së mbeturinave që parashihet të ndërtohet në zonën e Kërqevës. Sipas tyre, vendimi i Ministrisë së Mjedisit, është joligjor, sepse është marr pa dëgjim publik. Gjithashtu, banorët shprehen se ndërtimi i kësaj depoje do të shkaktonte dëme të madha mjedisore
Banorët e fshatrave të Lipjanit, Ribar i Madh, Poturoc, Qylagë, Kërqevë e Zllakuqar po e kundërshtojnë vendimin e Ministrisë së Mjedisit, Planifikimit Hapësinor dhe Infrastrukturës për ndërtimin e deponisë së mbeturinave në zonën e Kërqevës.
Sipas tyre, ky vendim është i jashtëligjshëm, sepse është marrë pa ndonjë dëgjim publik dhe paraqet rrezik për dëmtim të ambientit dhe shëndetit të tyre.
“Arsyet të cilat e kundërshtojmë këtë vendim është për shkak se në Kërçevë këtu veçse siç po e shihni është zonë industriale, fillimisht zonë për zhvillimin e bizneseve. Në vijë ajrore kemi edhe parkun Blinajë, një park i rrallë që është i Kosovës. E fshatrat dhe shtëpitë e banueshme janë shumë afër pjesës ku është paraparë të vendoset deponia, pastaj besoj se rrjedhin edhe pasojat kimike, biologjike, etj. Gjithashtu në vijë ajrore jemi edhe me aeroportin afër 1500 metra, nuk e kemi më larg“, ka thënë Ymer Torshupa, qytetar.
Kundër deponisë është shprehur edhe përfaqësuesi i fshatit Qylagë, Hyzer Bytyqi.
“Kemi një infrastrukturë ligjore që domethënë na pa mundëson kujdesin e mjedisit në të cilin jetojmë dhe ne sigurisht si banorë të fshatrave përreth jemi kundër kësaj deponie, e cila siç dihet pra nxit probleme shëndetësore shumë dhe rrezikon shëndetin publik pa dyshim”, ka thënë ai.
Njohësi i gjeologjisë, Fidaim Sahiti, i cili është edhe banor i fshatit Poturoc, thotë se lokacioni për ndërtimin e deponisë nuk i përmbush kushtet hapësinore, gjeologjike e mjedisore.
“Kjo çka pretendohet tani, që mendohet të ndërtohet një deponi e tillë që prodhon gjithmonë ndotje, duke filluar nga ujërat nëntokësore e kundërmon. Një çështje tjetër që është tejet me rëndësi e nuk e di a është analizuar apo jo, kur kemi aeroportin shumë afër dhe mund të ndodhë grumbullimi i madh i shpendëve, të cilët mund të grumbullohen dhe mund të pengojnë fluturimin adekuat të aeroplanëve”, ka thënë Sahiti.
Armend Grajqevci, asamblist nga radhët e LDK-së në Komunën e Lipjanit, ka thënë se ky vendim i ministrisë është marrë pa pëlqimin e komunës.
Sipas tij, banorët dhe komuna janë ankuar disa herë në Ministri, por pa sukses.
“Përndryshe unë mendoj se është edhe një vendim politik, për arsye se kryeministri i vendit është duke tentuar të bëjë një politikë jo të mirë edhe po mendoj që dhuratën e vetme që ia bë Lipjanit gjatë këtij mandati është kjo deponi e bërllokut në këtë zonë kaq të bukur për vendin tonë”, ka deklaruar Grajçevci.
Kundër këtij vendimi, banorët e kësaj zone para disa ditësh kanë nisur edhe një iniciativë për mbledhjen e nënshkrimeve për peticion.
Sipas banorëve, nismës i janë bashkuar edhe 6 fshatra të tjera që ndajnë të njëjtin mendim me ta.
Thonë që në rast se edhe peticioni nuk merret parasysh, do të organizohen protesta.
Vendimi për ndërtimin e kësaj deponie është marrë në fund të vitit të kaluar, ndërsa pyetjeve të KOHËS se a do të merren parasysh ankesat e banorëve, zyrtarët e MMPHI-së nuk u janë përgjigjur./Florinda Abazi