Arbëri

Bankat refuzojnë t’u japin kredi pensionistëve

*Teksti dhe storja janë përgatitur në kuadër të projektit “Dëgjonani"!

Pensionistët nuk mund të llogarisin në kredi, edhe po patën ndonjë emergjencë për të cilën u nevojiten shuma parash që s’i kanë të kursyera. Pensionistët treguan se vazhdimisht janë refuzuar nga bankat. E Avokati i Popullit e ka cilësuar diskriminuese këtë praktikë, por deri tash rekomandimet që u janë dhënë institucioneve bankare nuk janë zbatuar

Rrahmon Bejta ka afro dy dekada prej kur ka dalë në pension.

Pas një emergjence në familje, atij iu desh një shumë parash që nuk e kishte dhe nuk arriti ta siguronte as nëpërmjet kredisë bankare.

“Jam shku edhe jam paraqitë në bankë. Thotë: ‘Je pensioner’. Tha: ‘Nuk bën – tha – me marrë’. Thashë: ‘Jo?’. Thashë: ‘Unë ta këqyra nderen tënde se unë kam me realizu’. Valla – tha – ligji ashtu është”, tregon Bejta.

Ky i moshuar mbi të 80-at tregon se si arriti të bëjë zgjidhje.

“Thashë ‘çka bëj tash?’ Unë e kam një dashamir që e kam dashamir, një dashamir të mirë, i them shko merre ti në emër për veti. Për veti ai e merr, e unë ia kthej dalëngadalë’”, ka vazhduar rrëfimin Bejta.

Rasti i Bejtës nuk është i izoluar.

Në Lidhjen e Pensionistëve treguan se praktikë e njëjtë aplikohet ndaj të gjithë qytetarëve mbi moshë 65 vjeç.

Sekretari i kësaj organizate, Sherif Kastrati, tha se bankat po i diskriminojnë pensionistët.

“Asnjë bankë nuk jep kredi për pensionistët. Kuptohet kredi të vogla, për shembull për ta bërë një renovim të banjos, ose për ta blerë një shtrat, ose diçka tjetër. Domethënë minimale, t’i zgjidhë problemet”, thotë Kastrati.

Ai ka treguar se vetëm një institucion bankar ofron kredi, por për një kategori të vogël pensionistësh.

“Jep kredi deri në 3 mijë euro me një kusht që pensioni të jetë mbi 200 euro, ku dihet se deri më tash nuk ka pasur pensione mbi 200 euro, pos diku 20-30 për qind e kanë pasur mbi 200 euro, që do të thotë krejt shtresa e pensionerëve ka qenë e diskriminuar”, ka thënë Kastrati.

Në vitin 2019 Avokati i Popullit i ka dhënë rekomandim Bankës Qendrore të Kosovës që bankat të rishikojnë politikat kreditore me qëllim të parandalimit të diskriminimit ndaj qytetarëve të moshuar.

Gjashtë vjet pas, në këtë institucion thonë se situata vazhdon të jetë e njëjtë.

“Qytetarët mbi moshën 65 vjeçe vazhdojnë të diskriminohen nga bankat që nuk ofrojnë kredi për këta qytetarë, sepse konsiderojmë që mosha nuk duhet të jetë kriter i lejimit të një kredie ose dhënies së një kredie”, ka thënë Naim Qelaj, Avokat i Popullit.

Qelaj ka thënë se institucionet duhet gjetur mekanizma për të detyruar subjektet që të veprojnë konform rekomandimeve të Avokatit të Popullit.

“Është shqetësim i joni i vazhdueshëm. Ne në vazhdimësi kemi folur për rëndësinë që ka zbatimi i rekomandimeve të Avokatit të Popullit dhe këtu ndoshta ka munguar një levë shtyse, një mekanizëm që mbikëqyr zbatimin e rekomandimeve dhe i detyron autoritetet përgjegjëse që t’i zbatojnë këto rekomandime”, ka thënë Qelaj.

Bankat që operojnë në Kosovë nuk kthyen përgjigje në pyetjet e KOHËS për moszbatim të rekomandimit të Avokatit të Popullit.

Pa përgjigje kanë mbetur edhe pyetjet adresuar Shoqatës së Bankave, si dhe Bankës Qendrore.

Pensionisti Rrahmon Bejta shpreh zhgënjimin me këtë qasje.

“Ne nuk jemi kundër ligjeve të bankave që i kanë, po ata janë duke na anashkaluar edhe duke menduar se ‘këta e kanë kryer të vetën edhe nuk kanë më kurrfarë vlefte’”, ankohet ai.

Krahas bankave, edhe kompanitë e sigurimeve nuk ofrojnë sigurime shëndetësore dhe as jetësore për personat mbi moshën 65 vjeçe.

Me të dalë në pension, kontrata nuk u është vazhduar as atyre që, në kuadër të kontratave grupore, kanë qenë të siguruar gjatë kohës sa kanë ishin në marrëdhënie pune.

Qytetarë mbi moshën 65 vjeç janë ankuar edhe për një problem tjetër, që lidhet me sigurimet shëndetësore. Disa kompani ofrojnë çmime më të larta për ta, kur lëshojnë sigurime afatshkurtra për udhëtim jashtë vendit.

Avokati i Popullit e ka gjykuar praktikë diskriminuese këtë, dhe i ka dhënë rekomandime BQK-së në raport me kompanitë e sigurimeve. Por, veprimet kanë munguar edhe në këtë rast.

Sistemi publik ofron shërbime shëndetësore falas për pensionistët, por atyre nuk u mbulohet kostoja e medikamenteve që nuk ndodhen në listën e barnave esenciale. Po kështu, as kostoja e shërbimeve që marrin në klinika private.