Arbëri

Banesat shtrenjtohen bashkë me rritjen e kërkesës për ndërtime të larta

Mbi 200 euro më shumë është shtrenjtuar metri katror i një banese në nivel vendi, shkaku i rritjes së çmimit të materialit ndërtimor dhe kostos së fuqisë punëtore. Por, kjo nuk ka shënuar rënie të blerjes së banesave.

Në agjenci të patundshmërive thonë se interesimi i klientëve për të investuar në banesa nuk ka ndryshuar.

“Bazuar në të dhënat e kompanisë sonë, shitja e banesave gjatë tremujorit të parë të këtij viti është 20 për qind më e lartë se në tremujorin e parë të vitit të kaluar”, ka thënë agjencia e patundshmërisë “Pro Real Estate”.

Rritja e theksueshme e çmimit të metaleve është shënuar që nga nisja e pushtimit rus në Ukrainë.

Menaxheri i kompanisë ndërtuese “Euro Abi”, njëherësh edhe importues i armaturës, thotë se çmimi i armaturës është ngritur për 100 për qind krahasuar me vitet e kaluara. Kjo, sipas tij, ka ndikuar që të shtrenjtohet çmimi i banesave.

“Kostoja totale e një banese, duke e marrë parasysh këtë fluks të rritjes së çmimeve, është diku mbi 200 euro më e lartë në krahasim me vitet e kaluara. Nëse kthehemi një vit apo dy prapa, shohim se ka pasur çmime dukshëm më të ulëta të banesave. Tash rritja në minimum është prej 200 euro për metër katror”, ka thënë Fehat Kastrati nga “Euro Abi”.

Faton Hoxha, kryetar i shoqatës së ndërtimtarëve, thotë se me gjithë rritjen e çmimit të banesave, kërkesa për ndërtime të reja mbetet e njëjtë.

“Sipas të dhënave të Komunës së Prishtinës, pasi ndërtimi më i madh në Kosovë është i koncentruar në Prishtinë, lejet e ndërtimit që janë lëshuar vitin e kaluar dhe këtë vit janë pothuajse të njëjtë. Ka ndoshta pesë leje më pak se në vitin e kaluar, por numri i kërkesave në urbanizëm që ndërlidhen me ndërtime është më i lartë. Vjet në 3-mujorin e parë kemi pasur 427 kërkesa, ndërsa sivjet diku 520”, ka deklaruar Hoxha.

E ngritje të këtillë të çmimeve, ai thotë se nuk ka pasur që nga viti 2008.

Sipas të dhënave nga Dogana e Kosovës, çmimet e materialeve të çelikut që përdorën në ndërtimtari dhe në industri të tjera janë rritur 30 për qind për dallim prej vitit të shkuar, ndërsa rreth 100 për qind krahasuar me vitin 2020.

Me gjithë shtrenjtimin, kryetari i shoqatës së ndërtimtarëve thotë se çmimet e ndërtimit në Kosovë janë për 30 deri në 40 për qind më të lira sesa në vendet e rajonit.