Arbëri

Ballkani po e humb shpresën për përparim në anëtarësim në BE

Kulla e Ajfellit  - Te Anija

Në Kosovë, ku është pritur që nga viti 2010 për të udhëtuar pa viza në shtetet e Bashkimit Evropian, pronari i një restoranti ka vendosur një kopje të Kullës së Ajfellit, pamje të cilën mund ta shijojnë klientët e tij.

“Ne e kemi ndërtuar si formë ngushëllimi për njerëzit që nuk mund të shkojnë në Paris”, ka thënë Blerim Bislimi, pronari i restorantit “Te Anija” në periferi të Prishtinës.

Kjo pasqyron një keqtrajtim më të gjerë në gjithë Ballkanin në lidhje me perspektivat e gjashtë anëtarëve të saj – Shqipërisë, Bosnjës, Kosovës, Malit të Zi, Maqedonisë së Veriut dhe Serbisë – që t’i bashkohen ndonjëherë Bashkimit Evropian.

Mungesa e përparimit në rrugën evropiane për 6 shtetet e Ballkanit Perëndimor – Shqipëri, Bosnjë, Kosovë, Mal i Zi, Maqedoni V. dhe Serbi – e në këtë drejtim përfshirë edhe mungesa e liberalizimit të vizave për Kosovën, ka çuar në një ndjenjë zhgënjimi. Kjo ndjenjë ka arritur në atë nivel sa që liderët e Shqipërisë dhe Serbisë kishin menduar të mos merrnin pjesë në Samitin e BE-së në Bruksel të enjten.

Por, kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama dhe presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiq, kanë konfirmuar të mërkurën se do të shkojnë.

“Ne do të marrim pjesë në takimin e Këshillit të BE-së. Nuk do të ketë shumë për të dëgjuar”, shkroi Rama në Twitter.

Në Serbi, shtetin më të madh në Ballkanin Perëndimor, entuziazmi për anëtarësim në BE ka rënë në atë përmasë sa tash 44 për qind e njerëzve janë kundër anëtarësimit dhe vetëm 35 për qind për, e pjesa tjetër janë të pasigurtë, bazuar në një sondazh të bërë nga Ipsos në prill.

Në një draft-deklaratë të parë nga Reutersi tregon se liderët e BE-së sërish do të premtojnë “angazhim të plotë dhe të qartë në perspektivën e anëtarësimit në BE të Ballkanit Perëndimor”.

Mirëpo, përparimi i shpejt i Ukrainës drejt statusit të kandidatit formal, që do të dakordohet të enjten, vetëm ka shërbyer për të rritur ndjenjën e të lënit anash, thonë shtetet e Ballkanit, ndonëse të gjitha me përjashtim të Bosnjës dhe Kosovës janë kandidate për anëtarësim në BE.

“Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria kanë çdo të drejtë për t’u zhgënjyer”, ka thënë Zvezdana Kovaç nga Lëvizja Evropiane në Serbi, një organizatë jofitimprurëse që shtynë për anëtarësimin e Serbisë në BE. Ajo i është referuar stagnimit të procesit të negociatave të Shqipërisë e Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE.

Anëtarja e BE-së, Bullgaria, në vitin 2020 ka bllokuar fillimin e bisedimeve për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut në lidhje me një mosmarrëveshje sa i përket historisë dhe gjuhës.

Përparimi i Shqipërisë është i lidhur zyrtarisht nga BE-ja me atë të Maqedonisë së Veriut, e cila ka pranuar të zgjidhte një mosmarrëveshje me Greqinë me dekada të gjatë për emrin e saj, për ta hapur rrugën drejt BE-së.

Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria më herët u desh të prisnin dritën e gjelbër nga Franca sa i përket demokracisë dhe luftimit të korrupsionit.

Diplomatët e BE-së nuk presin përparim në Samitin e të enjtes.

Kushte të shumta?

Dhënia e statusit të kandidatit për Ukrainën, pa ndonjë përparim të dukshëm për Ballkanin, po ashtu dërgon një mesazh të keq për rajonin, thotë Kovaç.

Që kur Rusia e nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt, kancelari gjerman Olaf Scholz, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen dhe presidenti i Këshillit Evropian, Charles Michel, të gjithë kanë vizituar rajonin, duke ia konfirmuar mbështetjen, por pa marrë hapa konkret.

Arton Demhasaj, nga organizata Çohu me seli në Prishtinë, ka thënë se BE-ja nuk ka politika të qarta të zgjerimit karshi Ballkanit Perëndimor.

“Nëse shtetet që aspirojnë t’i bashkohen BE-së përballen me vonesa, atëherë do të riorientojnë politikat e tyre dhe më pas do të ketë rritje të ndikimit rus dhe kinez në Ballkanin Perëndimor”, thotë Demhasaj.

Për dallim nga suksesi që ka pasur zgjerimi i BE-së nga lindja, ku çoi në transformim të ish-shteteve komuniste si Polonisë, qasja e BE-së tash ofron tepër pak shpërblim e duhet plotësuar shumë kushte, thonë zyrtarët ballkanas.

Disa qeveri të BE-së, në veçanti Franca, Holanda e Danimarka, i frikësohen ndonjë përplasje mes shteteve anëtare sa i përket migracionit nga Ballkani dhe kjo është arsyeja pse duan të rriten reformat.

“Shumë qeveri të BE-së mendojnë se mund të vazhdojmë t’u bëjmë kërkesa të reja shteteve të Ballkanit dhe t’u themi: kthehuni pasi t’i kryeni këto. Por, nuk funksionon ashtu, në një moment do të heqin dorë”, ka thënë një zyrtar i lartë i BE-së i përfshirë në bisedime./Reuters