Arbëri

Ballë për ballë me Kasapin e Ballkanit

Nusret Shabani ishte vetëm njëri prej  shtatë dëshmitarëve që do të dëshmonin në  Tribunalin e Hagës për masakrën e Reçakut.

Nusret Shabani ishte vetëm njëri prej shtatë dëshmitarëve që do të dëshmonin në Tribunalin e Hagës për masakrën e Reçakut.

Foto: Driton Paçarada

*Artikull i publikuar në maj të vitit 2019 në “Kohën Ditore”. Ripublikohet, pas vdekjes së dëshmitarit Shabani

Nusret Shabani e kishte parë disa herë në televizor Slobodan Milosheviqin të ulur në bankën e të akuzuarve për krimet e luftës, që forcat e tij kishin kryer edhe në Reçak.

Njëfarë lehtësimi ndjeu kur liderin serb e pa me pranga në duar pak para se Shabani t’ia thoshte në sy se trupat e maskuara ia vranë të birin, Bajrushin, 22 vjeç. Ishte vetëm njëri prej 45 viktimave të masakrës së Reçakut, të kryer në ditën e 15 janarit 1999. Kishte edhe fëmijë si Halim Beqiri, 14 vjeç. Ende nuk i është gjetur trupi Sahide Metushit.

“E pashë në korridor me dy duart lidhë atë gjakpirës”, thekson Shabani, 80 vjeç, derisa kujton momentet para se të fillonte dëshminë në ditën e 5 korrikut 2002 në Tribunalin për Krimet e Luftës në ish-Jugosllavi.

Ai ishte vetëm njëri prej shtatë dëshmitarëve që do të dëshmonin për masakrën e Reçakut. Të gjithë nga Reçaku, pos Shukri Bujës, i cili ishte ftuar si ish-komandant i UÇK-së për rajonin. Të tjerët – Xhemajl Beqiri, Drita Emini, Bilall Avdiu dhe Agron Mehmeti – do të dëshmonin gjithashtu për masakrimin e familjarëve dhe të afërmve, të cilëve iu ishin nxjerrë sytë, zemrat dhe prerë veshët.

“Sa herë e këqyrsha, më dilnin në anën tjetër njerëzit e pafajshëm, njerëz humanë, njerëz të mirë, të cilët kanë dashur të jetonin, të jetonin dhe të punonin edhe në ato rrethana”, kujton Agron Mehmeti momentin kur e kishte parë nga afër Milosheviqin në gjykatore.

“Loja” e Milosheviqit në gjykatore

“Në rregull. Pra në atë grup, a ishte ndokush i armatosur. Grupi juaj që shkoi drejt kodrës, a ishit të armatosur?” – i drejtohej Milosheviqi Xhemajl Beqirit, një tjetër i mbijetuar që do të dëshmonte kundër liderit të parë të një shteti evropian të akuzuar për krime lufte, përfshirë gjenocidin.

“Krejt ishin civilë. Fëmijë të moshës 12-vjeçare, nuk mund të ishin ushtarë, dhe ata u vranë aty, në mesin e tyre edhe nga familja Beqiri”, do t’i përgjigjej Beqiri. “Nuk po të pyes për fëmijë dymbëdhjetëvjeçarë”, do t’ia kthente me arrogancë Milosheviqi.

“Kasapi i Ballkanit”, sikurse i referoheshin mediat e huaja për shkak të luftërave që i nisi në vitet nëntëdhjetë, po mundohej ta kthente gjykimin në skenë botërore politike, me qëllim që ta mahniste popullin serb, thekson hulumtuesi i “Human Rights Watch”. Abrahams kishte parë me sytë e tij gra e fëmijë të masakruar në Kosovë.

“Në fillim isha i acaruar. Milosheviqi nuk ishte i vetmi që kishte kryer krime lufte, por ishte figura qendrore e konfliktit”, ka deklaruar Abrahams në intervistën për temën e javës. “Shto këtu se puna ime profesionale, materiali që e kisha në tavolinë, bëhej që të shihej prej të gjithëve”, shton Abrahams, i cili kishte dokumentuar ekzekutime masive, përdhunime e abuzime të ndryshme. Me vete kishte fotografitë e familjes Delijaj, përfshirë ato me trupat e Donjetës 5 dhe Gentionës 7 vjeçe, që ishin nxjerrë nga mali. Në shkrimin “Ballë për ballë me Milosheviqin” të botuar pas dëshmisë së Hagës në gazetën “New York Times”, Abrahams përshkruante se si batanijet dhe tenda e strehimit ishin përg jakur prej grave e fëmijëve të pafajshëm.

HRW-ja e Abrahamsit do ta konsideronte masakrën e Reçakut si “një pikë e rëndë sishme kthese” në luftën e viteve 1998-99 në Kosovë. 

“Masakra në Reçak ishte e mirëdokumentuar nga misioni i OSBE-së, dhe aty për aty, e dënuar nga kreu i këtij misioni, amerikani William Walker”, shkruan në raportin volu minoz të HRW-së, “Nën pushtetin e urdhrave: Krimet e luftës në Kosovë”.

“Tri herë jam mat me gju me bardak”

Më 18 janar 1999, Milosheviqi nuk ia lejoi kryeprokurores së Tribunalit të Hagës, kanadezes Lousie Arbour, hyrjen në Kosovë, pasi mediat më të fuqishme botërore kishin në ballina dëshmitë e shkruara dhe fo tografitë e 45 shqiptarëve të vrarë. 

“Masakra e Reçakut provokoi një indinjatë të madhe në publikun perëndimor, dhe qeveritë perëndimore filluan të konsultoheshin për mbështetjen e diplomacisë me forcën. NATO-ja shtoi kërcënimet për veprime luftarake, nëse sulmet mbi civilët nuk do të reshtnin”, shkruan aty. 

Agron Mehmeti kishte në tavolinë fotografi që fotoreporteri i “Reutersit”, Hazir Reka, ia kishte dërguar një natë para se të nisej drejt Hagës. Reka ishte prej reporterëve të parë që kishte hyrë në Reçak pas tërheqjes së forcave serbe. 

“E pata fotografuar vajzën e axhës së Agronit”, kujton Reka, duke iu referuar Hanëmshahe Mehmetit, e cila ishte qëlluar në kokë e gjoks derisa mbi njëzet anëtarë të familjes së gjerë dhe fqinj u qëlluan rrugës përpjetë në krye të fshatit. “U plagos derisa po merreshim me vëllanë e saj, Elhamiun, nëntë vjeç, që e plagosën. Mixha, Bajrami, vdiq në vend prej një plumbi në kokë. Hanëmshahja pak më vonë”, kujton Mehmeti. 

“Andaj, qysh nuk ka qenë e vështirë me shku me u përball me atë njeri që ka qenë shkaktar i krejt kësaj, ekzekutorët e të cilit t’i kanë vrarë anëtarët e familjes, bashkëfshatarët dhe njerëzit e popullit tënd që vetëm dëshironin të jetonin të lirë në vendin e tyre”, thekson Mehmeti. 

“Tri herë jam mat me gju me bardak me ujë, që ma kishin pas qit në tavolinë”, thotë me pezëm Shabani, i cili pas tërheqjes së forcave serbe në orët e pasdites e kishte gjetur të vrarë të birin në njërën prej kodrave të fshatit. “Thashë t’i mëshoj në krye me bardak atij gjakpirësi. Por sigurimi duket se e pa se çfarë po du me pa dhe kanë ardhë shpejt dhe ma kanë hjek. May e nali seancën dhe më çuan në një dhomë me pushu. Ma dhanë një injeksion. May – se ka qenë shumë i mirë rahmetlia – më tha: ‘E dimë çfarë të ka ndodhë dhe se e ki ran’”, kujton Shabani, duke iu referuar gjykatësit të ndjerë, Richard May. “Qaty ka pas me i ra bardak se e kemi përcjellë drejtpërdrejt në televizor”, e plotëson i biri, Hajrushi. 

“Unë po shkoj në Kosovën e lirë, këtu po e la këtë kriminelin këtu” 

Shabani në disa çaste i ishte përgjigjur serbisht Milosheviqit. 

“Serbisht se dojsha me i kallzu direkt”, thekson Shabani, teksa njëherësh thotë se po mundohej të ruante qetësinë për shkak të pyetjeve të Milosheviqit të përqendruar te aktiviteti i UÇK-së. 

Abrahams, hulumtuesi i HRW-së, ia kishte listuar me fakte krimet e ushtrisë dhe policisë së komanduar prej tij, edhe pse Milosheviqi vazhdimisht fliste për teori të konspiracioneve botërore. 

“Më akuzonte se kishte veçuar vetëm serbët për kryerje krimesh me qëllim që të justifikoja bombardimin e Jugosllavisë nga NATO-ja. Liderët jugosllavë dhe serbë po akuzoheshin, jo populli serb, i thashë atij. Dukej sikur po flisnim për botë paralele”. 

Forcat serbe me maska e pa to po lëshoheshin teposhtë duke kënduar nëpër tokën e përgjakur të Reçakut, kujton Sha bani njëzet vjet pas ngritjes së aktakuzës me 66 pika kundër Milosheviqit. Në krye të fshatit e kishte gjetur të shtrirë me krahët hapur të birin, Bajrushin. 

“Nuk e kam këqyrë as ku e ka pasë plumbin”, kujton Shabani para se të mbështetë ballin në tavolinë për të treguar si kishte rënë përmbys i biri. Shkrehet në vaj. Dy ushtarë të UÇK-së ishin munduar t’i jepnin zemër. “Njani e kish pasë një bombë në dorë. Tha: ‘Po e ruj me kurtalis veten e mos me iu ra në dorë’. I thashë: ‘Nuk të duhet o bir se ata e banën të veten e shkun t’u knu’”. 

Shabani ishte bashkuar me disa të mbijetuar të tjerë, me të cilët do ta kalonte natën e acartë në mal mbi fshat. 

“Se harrova me të kallxu, që kur na qitën në oborr, më mëshoi me stupc n’krye veç pse çova kryet, e atje nalt tan natën nuk m’u nal gjaku. Nashta marre me thanë, por kryt me shurrë e kam la se s’u nalke gjaku”, kujton tmerrin e përjetuar Shabani. Ai, ndryshe nga Mehmeti, nuk beson se Milosheviqi vdiq më 2006 – pa iu shqiptuar verdikti – për shkaqe shëndetësore, sikurse njoftonte Tribunali i Hagës. 

“Unë besoj se ka vdekur për shkak se e thonë të gjitha dokumentet e Hagës, se edhe mua më kanë pyetur njerëzit se a besoj se ka vdekur përnjëmend”, thekson Mehmeti në zyrat e administratës komunale të Shtimes. Do të dëshironte që Milosheviqi të jetonte gjatë që të vuante prapa grilave për krimet kundër njerëzve të pafajshëm. E kishte ngushëlluar edhe fakti se dëshmia i ishte pranuar tërësisht nga Tribunali i Hagës. 

“Edhe kur dola, thashë: ‘Unë po shkoj në Kosovën e lirë, këtu po e la këtë kriminelin, këtu ku moti e ka meritu të ishte’”.