Kryetari i Grupit Parlamentar të Partisë Socialiste të Shqipërisë, Taulant Balla, e ka quajtur një turp tjetër për kredibilitetin e BE-së mosliberalizimin e vizave për qytetarët e Kosovës, ndërsa ka shprehur habinë pse edhe Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovines nuk u jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE.
Këto komente, kreu i grupit parlamentar të PS-së i ka bërë gjatë fjalimit të tij në panelin “Implikimet e luftës në Ukrainë – Një strategji për të shtyrë përpara anëtarësimin në BE të vendeve të Ballkanit Perëndimor” në kuadër të Simpoziumit Ndërkombëtar Symi që të hënën ka nisur në Athinë.
Në këtë ngjarje po merr pjesë edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe përfaqësues të tjerë nga vendet e rajonit.
“Nuk e kuptoj pse edhe Kosovës dhe Bosnjë-Hercegovinës nuk u jepet statusi i vendit kandidat për anëtarësim në BE. Mosliberalizimi i vizave për qytetarët e Kosovës nga BE është një turp tjetër për kredibilitetin e BE”, tha Balla në fjalën e tij.
Shqipëria e Maqedonia e Veriut ka kohë që po presin nisjen e negociatave për anëtarësim, por ky proces është shtyrë tash e sa kohë, gjë që Shqipëria e ka quajtur turp për BE-në.