Arbëri

Bala për dënimet e buta ndaj rasteve të dhunës në familje: Dekurajojnë viktimën dhe inkurajojnë dhunuesin

Nazlie Bala ne 60 minuta

Këshilltarja e Ministrisë së Drejtësisë, Nazlie Bala, ka thënë se shkaku i numrit të vogël të dënimeve apo dënimeve të buta, numri i rasteve të dhunës në familje dhe rasteve të dhunës me bazë gjinore vazhdon të jetë i lartë. 

Ajo ka thënë se shkaku i kësaj po vjen te recidivizmi e edhe te femicidi. 

Bala ka bërë thirrje që të merren masa të ashpra ndaj kryesve të dhunës në familje, siç parashihen me kodin penal, ndërsa ka thënë se gjyqësori është hallka e fundit ku duhet të merren këto masa.

“Për shkak të numrit të vogël dhe të butë të dënimeve, me gjobë apo kusht, nëse i referohemi analizave, kemi të bëjmë edhe me recidivizëm. Të njëjtit kryes të dhunës, e përsërisin veprën për të dytën, tretën apo katërtën herë, e kalojnë në procese të ndryshme në sistemin e drejtësisë dhe enden të lirë. Na ka ndodhur kjo edhe me rastet e femicidit. Nuk guxon të ndodhë kjo. Kërkojmë nga sistemi i drejtësisë të jetë më i ashpër e rigoroz, siç parashesh ligji, sa i përket dhunës në familje dhe asaj me baza gjinore”, ka thënë Balaj në “60 Minuta” të KTV-së. “Kur vendimi gjyqësor lë dhunuesit të lirë, atëherë viktimat dekurajohen t’i raportojnë rastet. Gjyqësori e ka rolin kryesor në këtë hallkë. Raporti i fundit i EULEX-it, i publikuar rishtazi, është për t’u shqetësuar sa i përket gjetjeve”. 

Bala ka thënë se beson se ka më shumë raste të dhunës në familje sesa që raportohen.  Këtë vit janë raportuar mbi 2000 raste të dhunës në familje.

Bala ka thënë se ajo që vërehet si mungesë, është raportimi nga palët e treta. Ajo ka bërë thirrje që dhuna të raportohet, kudo që ndodh ajo. 

Ndërkohë Bala ka thënë se duhet kohë e gjatë që shoqëria të ndërgjegjësohet ndaj fenomenit të dhunës në familje. 

“Mendoj se si shoqëri duhet kohë e gjatë të ndërgjegjësohemi e të krijojmë ndjeshmëri sa i përket rasteve e fenomenit të dhunës në familje. Në asnjë formë s’guxojmë ta normëzojmë dhunën....Kemi ende mendësinë e shoqërisë patriarkale, dhe duhet kohë tepër e gjatë, e përmes edukimit e emancipimit, duke filluar nga shtëpia e deri te niveli më i lartë arsimor, që brezat tanë të ardhshëm t’i edukojmë e emancipojmë në frymën e barazisë dhe respektit ndaj njëri-tjetrit”, ka thënë Bala.