Drejtori i Arsimit i Komunës së Suharekës, Remzi Bajselmani, ka thënë se bazuar në informata që ka edhe këtë vit shkollor do të përdoret metoda e subvencionimit të prindërve për blerje të teksteve shkollore për fëmijët e tyre.
Bajselmani në një bisedë për “60 Minuta” të KTV-së ka thënë se vitin e kaluar informimi ishte i vonshëm dhe kishin shprehur kundërshtime. Ai shpreson që kësaj radhe procesi të realizohet më mirë.
“Ne si DKA e kemi pranuar katalogun nga Ministria e Arsimit e kemi shpërndarë në shkolla e kemi plotësuar dhe u kemi dërguar katalogun e plotësuar Ministrisë. Nga ajo periudhë më nuk kemi informata. Prej aq sa jemi të informuar edhe sivjet do të bëhet subvencionimi si vitin e kaluar. Do të subvencionohen prindërit e nxënësve për tekstet shkollore”, ka thënë Bajselmani.
Bajselmani ka thënë se pret që të martën të ketë informata më të detajuara, pasi do të ketë takim të drejtpërdrejtë me Ministrinë e Arsimit.
Ai ka thënë se vitin e kaluar kishte pasur vështirësi, porse ia kanë dalur. Ndërkohë për grevat e paralajmëruara nga SBASHK-u nëse ka vonesa të pajisjeve me tekste shkollore, ai ka thënë se sipas informatave që kanë edhe në SBASHK nuk janë të interesuar për greva.
Ai ka shtuar se më 2 shtator shkollat në Suharekë do të jenë të gatshme për t’u hapur.
Bajselmani gjatë bisedës ka folur edhe për procesin e licencimit të mësimdhënësve dhe aplikimit të tyre për licencë të avancuar. Ai ka thënë se një sfidë mbetet çështja e inspektorëve, që ka mungesë të tyre.
E sa i përket mësimit tërëditor, ai ka thënë se në Suharekë nuk ka infrastrukturë aktualisht për këtë. Ai ka thënë se mungojnë kuzhinat, po ashtu edhe motivi i mësimdhënësve mungon.
Po ashtu Bajselmani ka shtuar se gjatë vitit të kaluar kanë pasur vështirësi me mungesë të mësimdhënësve të matematikës, ndërsa këtë vit po ka telashe me mësimdhënësit e TIK-ut pasi ata që kanë aplikuar nuk i kanë plotësuar kushtet.
“Suharekës iu morën rreth 3 milionë euro nga përmbaruesit për realizimin e obligimeve nga kontrata kolektive”
Drejtori i Arsimit i Komunës së Suharekës, Remzi Bajselmani, ka thënë se si komunë kanë vështirësi mjaft të madhe që të motivohen mësimdhënësit për të ngritur cilësinë. Ai ka thënë se infrastruktura është shumë e mirë, ka shkolla të reja me kushte evropiane, por motivi është i vogël shkaku i pagave.
Ai ka thënë se "preokupim i mësimdhënësve ka qenë realizimi i kontratave kolektive" dhe se 3 milionë euro janë marrë nga Komuna e Suharekës nga përmbaruesit për kontrata kolektive.
“Disa vite me radhë motivimi i mësimdhënësve për punë është i vogël. Çështjen kryesore e kanë me aplikuar në gjykata me avokat për me e realizuar kontratën kolektive. E ka dëmtuar kjo shumë procesin mësimor. Ata kanë realizuar të ardhura të mira gjatë këtij viti, por është dëmtuar buxheti i komunës dhe i Drejtorisë së Arsimit. Janë tërhequr rreth 3 milionë euro nga Komuna e Suharekës nga fonde të ndryshme që janë aty, për të realizuar pagesat për përmbaruesit e kësaj kontrakte kolektive”, ka thënë Bajselmani.