Profesori Arsim Bajrami ka treguar se si tri-katër ditët e fundit të Konferencës së Rambouilles ishin kritike dhe se ishte dramatike kur erdhi Sekretarja amerikane e atëhershme Madeline Albright.
Ish-këshilltari i delegacionit të Kosovës në Rambouillet, ka treguar se si drafti i dytë i propozuar gjatë Konferencës kishte qenë dukshëm më i keq dhe kishte shkaktuar revoltë te delegacioni i Kosovës.
“Momente dramatike ishin tri-katër ditët e fundit. Ishte shumë dramatike kur Albright erdhi në Kështjellë. Projekti i Rambouilles ishte amerikan. Amerikanët e sponsorizuan, me dokumente e ishin më numerik në Kështjellë. Albright merrte informacione çdo ditë për zhvillimet në konferencë. E kuptoi se ka probleme në delegacionin e Kosovës në arritjen e konsensusit që t’i thuhet po marrëveshjes. Vendosi të vinte vetë, ndonëse e kishte Holbrooken dorën të djathtë....Albright e shihte rrezik se do të dështonte kjo. Nuk harroj ato fjalime të saj. Mënyra se si i përkulej delegacionit të Kosovës që t’i thotë po marrëveshjes. Ajo jepte garanci se ne qëndrojmë prapa. Se do t’ju bëjmë zot të shtëpisë”, ka thënë Bajrami në "Konfront" të KTV-së.
Bajrami flet për premtimin e Albrightit dhënë Thaçit për referendum, e që s’u mbajt
Profesori e pjesëmarrësi i Konferencës së Rambouillet, Arsim Bajrami, ka treguar edhe për premtimin që ish-sekretarja amerikane Madeline Albright ia pati dhënë atëkohë Hashim Thaçit.
Gjatë konferencës në Francë më 1999, para se pala kosovare të firmoste marrëveshjen, Bajrami tha se Thaçi i kërkoi garanci Albrightit se do të mbahej një referendum pas tre vjetësh.
“Albright si diplomate e karrierës, i premtoi se pas tre vjetësh do të mbahej një konferencë tjetër, ku do të merrej parasysh vullneti i pastër i popullatës, nuk është pra një referendum i pastër, por ishte diçka ngjashëm. E dha një premtim personal, ajo e nënshkroi”, ka thënë Bajrami.
Më pas, sipas tij, çështja u dërgua në Këshill të Sigurimit dhe premtimi nuk u mbajt.
Kosova më pas më 2008 shpalli pavarësinë.
Bajrami shpjegon rolin e shteteve të mëdha në Rambouillet: Edhe Rusia shpesh i bënte presion Serbisë
Ish-këshilltari i ekipit të Kosovës në Rambouillet, profesori Arsim Bajrami, ka treguar se si gjatë Konferencës së Rambouilletit fati i Kosovës ishte se kishte përkrahjen e “treshes së madhe” dhe po ashtu tha se edhe përfaqësuesi rus Boris Majorski, nuk ishte shumë këmbëngulës.
“Amerikanët e britanikët në një mënyrë Hill, e më vonë Albright e Robin Cook punonin me ne, ndërsa Vedrine dhe Lamberto Dini më tepër ishin të ngarkuar me delegacionin serb. Fati i Kosovës ishte se treshja ka qenë në favor të Kosovës. Për fatin tonë Wolfgant Petritsch tërë kohën ishte të ndihmonte shqiptarët, të mos flasim për Hillin e Cookin ishin bashkëluftues. Edhe përfaqësuesi rus Boris Majorski nuk ishte shumë këmbëngulës, shpesh bënte vetë presion te serbët se duhet të kuptoni seriozisht konferencën e duhet të ofroni opsione përndryshe do të bombardoheni”, tha Bajrami në “Konfront” të KTV-së.
Bajrami ka treguar se përfaqësuesi rus shpesh dilte nervoz nga dhoma ku po punonin serbët i mllefosur se sa joserioz ishin ata.
Bajrami ka treguar se delegacioni i Kosovës ishte i gatshëm të pranonte draftin e parë, bëri disa propozime.
“Delegacioni i UÇK-së kërkoi që gjatë konferencës të ketë armëpushim. Kjo u refuzua nga serbët. Jo që nuk pati armëpushim, por u intensifikuan sulmet e vrasjet”, tha Bajrami.
Bajrami veçon rolin e Surroit në ekipin e Kosovës në Rambouillet
Arsim Bajrami, këshilltar i delegacionit të Kosovës në Konferencën e Rambouilletit, që i hapi rrugë intervenimit të NATO-s për çlirim dhe rrugëtimin përpara, ka dhënë detaje nga prapaskenat e konferencës. Ai ka veçuar rolin e Veton Surroit në formimin e një ekipi ekspertësh për hartimin e dokumenteve, në lokalet e KOHËS Ditore.
Ai ka thënë se konferenca pati ardhur në kohën kur dy palët në Kosovë, ajo pacifiste dhe ajo e luftës, patën kundërshtimet në kulm. Në uljen bashkë në konferencë të të dyja palëve, sipas Bajramit, rol të veçantë ka pasur Surroi.
“Veton Surroi ka luajtur rol shumë pozitiv sepse ka arritur të formojë një ekip të ekspertëve në lokalet e KOHËS Ditore ku shumë ditë para se të shkonim në Rambouillet grumbullonim dokumente. Ai formoi një grup të ekspertëve që punonin nga ora 8 deri në 4 çdo ditë për të përgatitur vetëm anën profesionale. Dhe ky grup vazhdoi edhe gjatë gjithë konferencës. Gjithë kohën na çonin materiale, propozomë, amendamente”, ka thënë Bajrami në një rrëfim ekskluziv në “Konfront” të KTV-së të enjten.
Ai ka thënë se palët tjera në ekipin e kontaktit të Kosovës, ishin të papërgatitura, përfshirë partitë politike dhe përfaqësuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.
Konferenca e Rambouilletit u mbajt në shkurt të 1999-s. Ajo nga Bajrami është cilësuar si pikë kthese për Kosovën. Sipas tij, kjo konferencë ka qenë e papritur dhe se në një mënyrë i kishte zënë në befasi përfaqësuesit e Kosovës. Ai ka thënë se nga dështimi në Marrëveshjen e Daytonit ka pasur stres se Kosova s’do të jetë pjesë e asnjë konference ndërkombëtare pa radikalizim të situatës. Ka vlerësuar se pas masakrës së Reçakut dhe alarmimit nga William Walker, u organizua ngjarja historike në të cilën shqiptarët u ftuan si të barabartë në tavolinë për herë të parë.
Marrëveshja e paqes e propozuar në Rambouillet ishte hartuar nga NATO-ja. Refuzimi i saj nga Jugosllavia nxiti ndërhyrjen e NATO-s në luftën në Kosovë. Beogradi refuzoi duke thënë se marrëveshja i sjell autonomi Kosovës.