Ish-ministrja e Financave, deputetja e LDK-së, Hykmete Bajrami, ka kritikuar qeverinë duke thënë “se nuk ka punuar asgjë”.
Bajrami ka reaguar pasi Ministria e Financave në një postim në Facebook ka postuar lëvizjen e borxhit shtetëror si përqindje e Bruto Prodhimit Vendor në 5 vitet e fundit.
“Qeveria e Kosovës me sukses ka kthyer nivelin e borxhit shtetëror në nivelin para pandemisë duke arritur që madje ta zvogëlojë nivelin e borxhit shtetëror si përqindje të BPV-së edhe në raport me periudhën para pandemisë”, është shkruar nga MF-ja.
E Bajrami ka thënë se në tri vjetët e fundit s’ka përfunduar asnjë projekt i madh.
“Kur pas tri vjetëve s'keni qenë në gjendje me e përfundu asnjë projekt të madh: as një rrugë magjistrale, asnjë urë, asnjë hekurudhë, nuk keni ndërtu 160 çerdhet e premtuara, 5 shtëpitë për të moshuarit, nuk keni renovu asnjë shkollë, nuk keni ndërtu as një spital dhe nuk e keni lënë asnjë shenjë të vetme për tu kujtuar për të mirë - krenoheni me borxhin publik të ulët?! Kjo i bjen me u krenu me mospunë dhe dembeli”, ka shkruar Bajrami.
Bajrami ka thënë se kjo qeveri i ka bërë dëm të madh vendit.
“Në anën tjetër është pikërisht shumica/qeveria që çdo ditë ankohen se ‘'janë rreth 300 milionë euro kredi përmes marrëveshjeve ndërkombëtare që presin për tu votuar në Kuvend’, e në të njëjtën kohë lavdërohen se e kanë ulë borxhin publik. Tash a është ulë borxhi publik që s'po ju votohen marrëveshjet në Kuvend apo s'po doni ju me i votu marrëveshjet që me mbajt borxhin publik të ulët. Ju lutem, koncentrohuni! Për me tepër, mos të harrojmë se në kohën kur mospuna juaj e zvogëlon borxhin publik janë mbi 500 milionë euro të tjera projekte të bllokuara që financohen nga fondet e IPA-s, ËBIF dhe donatorëve bilateral, që janë të bllokuara që një vit për shkak të masave që Bashkësia Evropiane i ka vënë Kosovës në qeverisjen e juaj. Andaj kur folni për zvogëlim të borxhit publik, bëhuni të sinqertë dhe folni edhe për kosoton oprtune të këtij fenomeni. Ju jeni me pak se një 'zero sum game', sepse dëmi që po i bëni vendit tejkalon shumfish benefitet e juaj nga pushtetit”, ka shkruar Bajrami.