Arbëri

Bajrami: Prokuroria Speciale urgjentisht të veprojë për kontratat sekrete

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka kërkuar nga Prokuroria Speciale të veprojë urgjentisht lidhur me kontratat njëburimore që, sipas saj, janë nënshkruar pa publikimin e njoftimit për kontratë.

Ajo ka thënë se Prokuroria Speciale duhet ta trajtojë urgjentisht këtë fenomen dhe ta ndalojë “abuzimin me paranë publike”. 

“Vetëm për tre muaj nga 1 janar 2024 deri më 31 mars 2024 janë nënshkruar edhe 108 kontrata përmes procedurës së negociuar pa publikimin e njoftimit për kontratë, vlera e të cilave është mbi 30 milionë euro. Para disa jave ishim ne Lidhja Demokratike e Kosovës që publikuam të dhënat për mbi 781 kontrata në vlerë prej 209 milionë euro - kontrata sekrete. Patëm edhe debat në Kuvend ku u kërkua që të themelohet edhe Komision Hetimor Parlamentar për këto kontrata, të cilin e bllokojë LVV-ja. Dhe po shihet se ata s’kanë dashur të hetohen në mënyrë që korrupsioni të vazhdojë. Tani, vetëm për 3 muaj kemi edhe 108 kontrata në vlerë prej 30 milionë euro”, ka shkruar ajo në Facebook.

Bajrami tutje ka thënë se kryeministri Albin Kurti duhet t’i pyesë qytetarët se si ndihen ata kur shohin se ministrat e Kurtit “i kanë ndarë plot 240 milionë euro me shokë e dashamirë duke shkelë rëndë Ligjin e Prokurimit Publik”.

Ajo ka thënë se po kryhet abuzim me paranë publike, keqpërdorim të pozitës zyrtare dhe deformim të konkurrencës së lirë në treg.

“Të tri këto vepra janë vepra të rënda korruptive për të cilat akterët e përfshirë duhet të mbahen përgjegjës”, ka thënë ajo.