Arbëri

Bajrami me akuza për korrupsion serioz qeveritar në KEK, i kërkon Kurtit të deklarohet

Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Hykmete Bajrami ka akuzuar Qeverinë e Kosovës, për siç ka thënë “korrupsion serioz qeveritar” në Korporatën Energjetike të Kosovës (KEK). 

Sipas saj në KEK po vazhdon korrupsioni me kontrata njëburimore.

Ajo ka thënë se kryeministri Albin Kurti dhe ministrja e Ekonomisë Artane Rizvanolli duhet të deklarohen për këto kontrata.

“Sot, me 3 qershor, 2024 sipas Komisionit Rregullativ të Prokurimit Publik Korporata Energjetike e Kosovës ka nënshkruar kontratën e 16-të njëburimore/pa publikim të njoftimit për kontratë me të njëjtën kompani. Pra negocim direkt 16 herë me kompaninë e njëjtë. Derisa të premten me po të njëjtën kompani është nënshkruar kontratë në vlerë 448, 251.13 Euro, sot kontrata tjetër që u publikua nga KRPP-ja është në vlerë prej 443.638,00. Dmth. për dy muaj (qershor-korrik) shërbime të sigurimit një kompani me kontratë   njëburimore merr afër 900 mijë euro”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Në një përgjigje për KOHËN, të martën (4 qershor) KEK-u ka thënë se nuk i komenton deklaratat politike.

“Megjithatë për informimin e juaj, KEK në vazhdimësi ka inkurajuar secilin person që ka ndonjë informatë të bazuar (me dëshmi) të deponojë në organet relevante të drejtësisë”, thuhet në një përgjigje të KEK-ut.

Lidhur me këto akuza KOHA ka pyetur edhe Qeverinë dhe posa të marrë përgjigje teksti do të përditësohet.