Profesori Arsim Bajrami ka thënë se kryeministri Albin Kurti ka gabuar që nuk e ka dërguar draftin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe në Gjykatën Kushtetuese.
Sipas tij, po që se ndonjë nga nenet apo paragrafet e këtij drafti do të binte ndesh me Kushtetutën, Kurti do ta kishte të drejtën e plotë që ta krijonte një Asociacion në përputhje me Kushtetutë.
I ftuar të enjten në “Konfront” të KTV-së, Bajrami ka thënë se anëtarësimi i Kosovës në Këshillin e Evropës është rast i humbur.
“Te Këshilli i Evropës janë bërë gabime, duhet të ushtrohet lidership në atë proces, kryeministri e ka pasur shumë lehtë ta menaxhojë këtë punë dhe sot do të ishim anëtarë të Këshillit të Evropës. Është dashur ta çojë cilindo draft që BE-ja e konsideron si zyrtar në Kushtetuese. Asnjë votë nuk do ta kishte humbur për atë çështje dhe Gjykata Kushtetuese si një organ i mandatuar me Kushtetutë, do ta ushtronte përgjegjësinë institucionale që ta vlerësonte atë draft. Nëse do të gjente ndonjë prej neneve apo paragrafëve që bie ndesh me Kushtetutën, ajo do ta kthente prapa dhe do t’i jepte të drejtën e plotë Kurtit që ta krijonte një Asociacion në përputhshmëri me Kushtetutën”, ka thënë ai.
Bajrami ka shtuar se koordinimi me Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e tjerë në vendimmarrje, asnjëherë nuk ka çuar në humbjen e Kosovës.
“Dëshmi për këtë është Rambouillet, është Vjena, është procesi i Ahtisaarit, është Kushtetuta, pavarësia, shtetndërtimi dhe sot nuk guxojmë t’i çakordojmë këto orientime gjeopolitike të Kosovës. Natyrisht, nuk duhet pranuar gjithçka por duhet treguar pragmatizëm politik. Nëse neve na u është thënë se duhet ta bëjmë një Asociacion për çka ne e kemi pranuar disa herë, duhet të tregohemi seriozë dhe duhet mos të bimë në grackën e Serbisë që është e interesuar se çështja e Kosovës të mbetet një çështje e konfliktit të ngrirë”, është shprehur ai.