Arbëri

Bajrami i reagon Muratit: Rritjen e varfërisë mundohet ta shesë si sukses

Hykmete Bajrami (foto facebook)

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, ka thënë se ministri i Financave, Hekuran Murati, po mundohet që rritjen e varfërisë në vend ta shesë si sukses.

Në një postim në Facebook të shtunën, ministri Murati ka bërë të ditur se për gjashtë muaj me radhë kanë mbështetur mbi 61 mijë familje të cenueshme, “pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta, duke ua subvencionuar faturat e energjisë elektrike”. Sipas ministrit, mbështetja do të riaktivizohet gjatë stinës së dimrit.

Por deputetja e LDK-së ka thënë se për këtë duhet të falënderohet Bashkimi Evropian e jo Qeveria Kurti.

“Propaganda e ministrit që rritjen e  varfërisë mundohet ta shesë si sukses. 61 mijë familje në vendin tonë u subvencionuan për faturat e energjisë elektrike në gjashtë muajt e fundit. Financim ky komplet nga BE për familjet pa të ardhura ose me të ardhura të ulëta. Pra Bashkimi Evropian është institucioni që duhet të falënderohet për këtë ndihmë e Qeveria Kurti me minister Muratin duhet të mbahet përgjegjëse që përkundër faktit që erdhën në pushtet duke premtuar lirim të çmimit të energjisë elektrike e rritën atë deri në papërballushmëri për 61 mijë familje në Kosovë”, ka shkruar ajo në Facebook.

Bajrami ka thënë se falë mospunës së Qeverisë, rreth 250 mijë banorë jetojnë në varfëri ekstreme.

“Falë politikave dhe mospunës së kësaj Qeverie sot 61 familje apo rreth 250 mijë banorë jetojnë në varfëri ekstreme dhe ministri i financave mundohet që këtë ta shes si lavd. Propaganda nuk kalon!”, ka shkruar tutje ajo.