Arbëri

Bajrami-Haxhiut: Ministre e skandaleve dhe e vetingut të dështuar

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami,

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Hykmete Bajrami, e ka quajtur ministren e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ministre të skandaleve, duke përmendur djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore, e “dështimin” e vetingut.

Pas një videoje të publikuar nga Haxhiu në Facebook, ku shihen krerët opozitarë duke u shprehur të gatshëm për zgjedhje, e më pas duke rezultuar me dështim të mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme, Bajrami ka thënë se Haxhiu po prodhon video në pamundësi që të flasë për ndonjë sukses të Qeverisë. 

“Pasi i dështoi nisma shefit të saj për ta instrumentalizuar tërë opozitën, Albulena Haxhiu e skandaleve me djegien e Institutit të Mjekësisë Ligjore, ministrja e vetingut të dështuar sërish e paska nis fushatë me video kundër opozitës. Albulena Haxhiu në pamundësi të shkruajë e flasë për ndonjë sukses të

Qeverisë, ajo prodhon video pasi i dështoi partia të çojë vendin në zgjedhje duke u viktimizuar. Prodhimi i videove nuk ju largon premtimet që keni dhënë dhe dështimet që keni shënuar. Që keni dështuar prej ndërtimit të çerdheve e deri te mashtrimet për përfundimet e projekteve nacionale si rruga për Podujevë, Mitrovicë e Gjilan”, ka shkruar Bajrami në Facebook.

Ajo tutje ka thënë se prodhimi i videove nuk i largon nga përgjegjësia pushtetit për “mashtrimin e pensionistëve, veteranëve e invalidëve të luftës”.

“Prodhimi i videove nuk ju largon nga përgjegjësia që keni mashtruar se nuk bisedoni me Vuçiqin pa kërkuar falje Serbia. Prodhimi i videove nuk ju largon nga përgjegjësia që keni nënshkruar 240 milionë euro kontrata njëburimore me korrupsion. Prodhimi i videove nuk ju largon nga keqpërdorimi i rezervave shtetërore. Prodhimi i videove nuk ju amniston nga mafia energjetike e ambasadorit Martin Berishaj. Prodhimi i videove nuk ju largon nga përgjegjësia që e keni pranuar Zajednicën. Prodhimi i videove nuk ju largon nga përgjegjësia që i keni mashtruar banorët e Deçanit se nuk zbatoni vendimin për Manastirin e Deçanit. Prodhimi i videove nuk ju amniston nga dështimi për t’u anëtarësuar në Këshillin e Evropës”, ka shtuar ajo.

Bajrami ka thënë se Qeveria duhet ta pranojë se ka dështuar dhe të dorëhiqet.