Arbëri

Bajrami: Duke iu nënshtruar Qeverisë shumica në Kuvend ka shkelur 10 herë Kushtetutën

Hykmete Bajrami

Deputetja e Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK) Hykmete Bajrami, e ka akuzuar partinë në pushtet për propagandë. 

Në një postim në Facebook, pas konferencës për media të shefes së Grupit Parlamentar të Lëvizjes Vetëvendosje dhe deputetit Adnan Rrustemi, në të cilën ata deklaruan se kjo është legjislatura më e suksesshme, Bajrami ka thënë se kjo legjislaturë veç e suksesshme, s’mund të quhet. 

“Propaganda nuk kalon. Kjo legjislaturë veç e suksesshme nuk mund të quhet sepse: mazhoranca në Kuvend duke iu nënshtruar Qeverisë ka shkelë 10 herë Kushtetutën e Republikës së Kosovës - plot 10 herë. A është sukses ky?”, ka shkruar Bajrami. 

Sipas saj shumica gjithashtu ka sabotuar punë e shumicës së komisioneve hetimore, “duke mbrojtur me fanatizëm të korruptuarit e partisë në Qeveri, kjo s'ka ndodhur asnjëherë në historinë e Kuvendit të Republikës së Kosovës”.

“Ndërsa sesioni pranveror nuk ka përfunduar me 1 gusht siç po thuhet, sepse ka muaj që Kuvendi s'ka mbajtur seancë të rregullt, në emër gjoja të ‘renovimit të sallës plenare'. E sa ju përket ligjeve të miratuara, këtu vend për lëvdata nuk ka, sepse gjatë këtij mandati plot 112 ligje janë ndryshuar me nga një nen maksimum dy nene për t’u harmonizuar me dy Ligje që janë ndryshuar siç duhet: Me Ligjin për kundërvajtje - janë ndryshuar 31 ligje tjera (një nen ose dy maksimum). Me Ligji për procedurën e përgjithshme administrative në fazën e parë janë ndryshuar 38 ligje me nga një nen maksimum dy dhe në fazën e dytë janë ndryshuar 43 ligje me një nen maksimum dy. Dmth. në këtë mandat me 2 ligje janë ndryshuar 112 ligje”, ka shkruar Bajrami.

Sipas saj kur hiqen 112 ligje nga totali i ligjeve të aprovuara në këtë mandat “ajo që këta quajnë ‘përformancë' bie me 50%”.

“Qytetarët e kanë kuptuar kush jeni, andaj s'ju ka mbetur tjetër veç manipulimit me shifra e ''patriotizmit'' për vota që sot na e shesin dezertorët e dikurshëm”, ka shkruar Bajrami.