Arbëri

Bajraktari përmend dy opsionet për të dalë nga ngërçi në Kuvend

Avokati Ardian Bajraktari ka thënë se janë dy opsione për të ndalë nga ngërçi politik nëse s’ka reflektim nga dy taborët politikë, pasi dështuan dy seancat konstituive.  

Ai ka thënë se mungesa e vendimmarrjes po e komplikon më tej situatën.

“Janë dy mundësi: të votohet (raporti), dhe palët që pretendojnë se raporti ka shkelje, ta çojnë në Kushtetuese. Ose, të vihet në votim, të votohet kundër, dhe pala tjetër që mendon se raporti është në rregull, ta dërgojë në Kushtetuese. Këto janë dy opsione nëse nuk ka reflektim”, deklaroi Bajraktari në “60 Minuta” të KTV-së.

Ai ka thënë se rruga më e mirë për zgjidhje do të ishte që kryeministri dhe ministrat të dorëzojnë dorëheqje formale, pasi letra e publikuar të martën ishte vetëm një njoftim dhe nuk përbën akt zyrtar.

“Dorëheqja është akt individual dhe duhet t’u adresohet kryesuesve teknikë të seancës dhe sekretariatit të Kuvendit”, shtoi ai.

Sipas avokatit, për ta çuar një çështje në Gjykatën Kushtetuese duhet të ketë më parë një vendimmarrje, e cila në këtë rast ka munguar.

Ai ka kritikuar mënyrën e menaxhimit të seancës të së enjtes, duke theksuar se “kryesuesi është dashur ta vë në votim raportin”.

Bajraktari ka qenë i qartë edhe për rolin e presidentes në këtë proces.

“Presidentja nuk ka punë këtu”, deklaroi ai.

Kuvendi i Kosovës ka dështuar në dy seanca konstituive radhazi – të martën dhe të enjten – ta miratojë pikën e parë të rendit të ditës, raportin e Komisionit për verifikimin e mandateve. Të martën, raporti u hodh në votim por nuk mori shumicën e nevojshme, ndërsa të enjten seanca u ndërpre pa u hedhur fare në votim. Seanca e radhës është thirrur për të shtunën në orën 12:00.